Rama takon ambasadorin e Sllovakisë

Aktuale March 21, 2017 - 14:27

 

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti në takim shefin e zyrës ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë në Republikën e Kosovës, ambasadorin Lubomir Batary.

Gjatë takimit kreu i FSK-ja theksoi se kjo forcë ashtu siç është e përkushtuar për ruajtjen e vlerave të vendit tonë, po ashtu me të njëjtën gatishmëri dhe përkushtim përkujdeset edhe për  ruajtjen e vlerave të  popujve, të cilët kanë kontribuar për lirinë dhe paqen e vendit tonë.

Ai tha se,  FSK-ja  me kënaqësi ka ndërmarrë iniciativën për riparimin e memorialit kushtuar ushtarëve të Forcave të Armatosura të Sllovakisë, të cilët patën humbur jetën në një fatkeqësi ajrore pas përfundimit të misionit në vendin tonë.

Nga ana e tij, ambasadori i Sllovakisë, Lubomir Batery, në emrin e tij personal dhe në emër të Forcave të Armatosura të Sllovakisë dhe në emër të popullit sllovak falënderoi komandantin e FSK-së, gjeneral Ramën, për angazhimin dhe kujdesin e treguar në përkujtim të jetës dhe veprës së ushtarëve sllovakë.

Forca e Sigurisë së Kosovës  ka riparuar memorialin i cili u kushtohet 42 ushtarëve sllovakë të cilët kanë humbur jetën para 11 vitesh në një fatkeqësi ajrore, gjatë kthimit të tyre në atdhe, pas përfundimit  të  misionit në kuadër të KFOR-it në Kosovë, transmeton Klan Kosova.