Të dëgjohet më shumë zëri i gruas

Aktuale March 21, 2017 - 08:29

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, u bënë bashkë të hënën për të marrë pjesë në hapjen e programit të javës së gruas në Kosovë.

Presidenti Thaçi e konsideroi javën e gruas si nismë të duhur, duke shtuar se ky aktivitet i bënë bashkë përfaqësues të të gjitha subjekteve politike, të gjitha etnive nga shoqëria dhe sektori i biznesit.

“Java e gruas është platformë ku pjesëmarrësit tejkalojnë përkatësitë etnike apo bindjet politike dhe angazhohen së bashku për trajtimin e çështjeve në interes për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës”, tha presidenti Thaçi në fjalimin drejtuar grave pjesëmarrëse.

Ai tha që temat që mbulohen këtë javë janë të rëndësisë esenciale për ta shtyrë progresin e përfaqësimit gjinor drejt ndarjes së buxhetit, që reflekton në barazi gjinore dhe zhvillim të programeve për mbështetjen e grave ndërmarrëse e deri tek reformat në drejtësi. Thaçi gjithashtu me krenari përmendi gratë e suksesshme në Kosovë.

“Mendoj që është me rëndësi që sot me juve të flas për disa pika të politikës nacionale që prekin të gjitha, pavarësisht gjinisë apo etnisë. Demarkacioni, liberalizimi i vizave e deri tek transformimi i FSK-së apo reformat e sistemit të drejtësisë nuk janë vetëm tema mashkullore apo femërore, ato janë tema të përbashkëta. E them me krenari që jemi shteti i parë në Ballkan që ka pasur komandantin suprem të FSK-së, një grua z. Atifete Jahjaga të cilën gjithmonë e kam përmendur si shembull i luftës për të drejta dhe përfaqësim të barabartë gjinor. Për mua ka qenë jashtëzakonisht mbresëlënëse fitorja e një kandidateje, Mimoza Kusarit, në një betejë të fuqishme politike në Gjakovë”, deklaroi Thaçi.

Ai u bëri thirrje të gjitha grave që të punojnë dhe të angazhohen sa më shumë në çështjet madhore të Kosovës, siç është edhe transformimi i Forcës së Sigurisë në ushtri.

Edhe ambasadori Greg Delawie u ka bërë thirrje grave që të angazhohen sa më shumë që zëri i tyre të dëgjohet.

“Përparimi i Kosovës dhe arritja e qëllimeve janë çështje thelbësore por nevojitet talenti në sektorë të ndryshëm që kjo të bëhet realitet dhe e dimë që pjesëmarrja më e madhe e grave në shoqërinë civile, në politikë, në ekonomi çon drejt prosperitetit të sigurisë më të madhe. E dimë po ashtu që kur gratë fuqizohen për të marrë pjesë pa frikën e ndëshkimit, atëherë marrin pjesë më me efikasitet në bashkësitë e tyre. Besoj se pika qendrore e këtij nocioni të përfshirjes dhe fuqizimit është ideja e pranimit që zëri juaj të dëgjohet”, ka thënë Delawie./Zeri.