Profesorët denoncojnë në Antikorrupsion menaxhmentin e UP-së

Aktuale March 02, 2017 - 10:29

Profesorët e UP-së po kërkojnë nga Agjencia Kundër Korrupsionit që të zhvillojë hetime për shkeljet në konkursin për pranimin e stafit akademik.

Disa profesorë të Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” e kanë denoncuar menaxhmentin e këtij Universiteti në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK). Ata kanë kërkuar nga Agjencia që të parandalohet keqpërdorimi i konkursit publik në UP për pranimin si dhe për avancimin e stafit akademik.  

Burime të gazetës “Zëri” brenda kësaj agjencie kanë konfirmuar për gazetën se nga AKK-ja janë intervistuar zyrtarë të UP-së lidhur me një denoncim për shkelje të procedurave gjatë pranimit të stafit akademik, rektori Marian Dema, prorektori për çështje akademike, Naser Sahiti, sekretari i përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi, dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka..   

Hetimi i AAK-së ndaj Rektoratit fillimisht përfshin rastin e specialistes së vetme në Kosovë për Farmaci Klinike, Rozafë Koliqi, e cila është larguar nga UP-ja duke u shkelur Statuti i UP-së. Koliqi, e cila ka doktoruar në Universitetin e Shkupit “Kirili dhe Metodi”, ka konkurruar për t’u zgjedhur asistente në lëndën Farmaci Klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi, pasi nuk është pranuar asistente e rregullt është detyruar të largohet nga UP-ja. Në Senatin e UP-së është votuar kundër propozimit të Komisionit Recenues dhe Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë për ta pranuar Koliqin. E kontaktuar nga gazeta, Koliqi ka konfirmuar se është intervistuar nga zyrtarët e AKK-së, pasi që ka denoncuar shkeljet në rastin e moszgjedhjes së saj asistente.

Profesorët, letër publike të gjitha institucioneve - denoncojnë shkeljet 

Edhe dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, nuk e ka mohuar për gazetën “Zëri” se lidhur me këtë rast është kontaktuar nga Agjencia Kundër Korrupsion dhe, siç ka thënë ajo, u ka ofruar gjithë të dhënat e kërkuara nga kjo Agjenci. Ndërsa, më 20 shkurt edhe profesori i shkencave politike, Arben Hajrullahu, i ka dërguar një letër AKK-së, ku parashtrohet kërkesa nga ana e tij për parandalimin e keqpërdorimit të mëtutjeshëm të një konkursi publik në UP.

Ai thotë se po pengohet rizgjedhja e tij në thirrjen e profesorit të rregullt. Hajrullahu ka paraqitur një sërë dokumentesh përcjellëse në këtë letër, të cilën e posedon dhe gazeta “Zëri”. Hajrullahu ka thënë të mërkurën për gazetën “Zëri” se ka kërkuar nga përfaqësuesit e agjencisë që si institucion në luftën kundër korrupsionit, dhe mbrojtjen e të drejtave njerëzore në Kosovë, që të veprojnë në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive të tyre për ta parandaluar keqpërdorimin e një konkursi publik në UP. Hajrullahu ka shprehur gatishmëri se mund të argumentojë në çdo kohë e formë se aplikimi i tij i plotëson, dhe në fakt i tejkalon, të gjitha normat dhe kushtet e parapara në Statutin e UP-së, ku edhe ka filluar me mësimdhënie në vitin 2004.

Ish-bursisti i programit Fulbright pengohet të rizgjidhet profesor

“Më datë 24 nëntor 2016 nga UP-ja është shpallur konkursi publik për zgjedhjen e personelit akademik. Në pozitën me nr. rendor 1 kam aplikuar edhe unë për rizgjedhje, respektivisht për avancim në pozitën në të cilën jam zgjedhur nga Senati i UP-së, së pari si profesor asistent (2006) dhe pastaj si profesor i asociuar (2011).

Si pasojë e keqpërdorimeve dhe shkeljeve të ndryshme, procesi i rizgjedhjes sime tani rrezikohet të dështojë”, ka shkruar Hajrullahu në letrën e dërguar edhe Ministrisë së Arsimit, Avokatit të Popullit, Ambasadës e SHBA-së në Kosovë, Ambasadës Britanike në Prishtinë,  Ambasadën Austriake në Prishtinë..., etj. Ai ka bërë të ditur se ia ka përcjellë letrën Ambasadës britanike, amerikane dhe asaj austriake, pasi që, siç është shprehur, “Mbretëria e Bashkuar ka arritur marrëveshje me Qeverinë e Republikës së Kosovës për monitorimin e pavarur të konkurseve publike për pozitat me rëndësi, SHBA-ja bazuar në kualifikimet profesionale dhe punën time si mësimdhënës i rregullt në UP, më ka mbështetur përmes programit Fulbright (Hubert Humphrey) në vitin akademik 2007/2008 dhe janë njëri nga shtetet që ka mbështetur arsimin e lartë e sidomos UP-në ndër vite”.

UP-ja nuk ua njeh kandidatëve studimet e kryera në Austri

Edhe Republika e Austrisë ka investuar në studimet e tij në universitetet austriake (1995-2005) dhe, siç shprehet Hajrullahu, ky shtet e ka mbështetur që të punojë pa asnjë shpenzim për UP-në në vitin 2004 dhe 2005, si dhe është njëri nga shtetet që ka mbështetur arsimin e lartë e sidomos UP-në ndër vite. Tani ai thotë se nga Fakulteti Filozofik po i kontestohen studimet bachelor të kryera në Austri. “ Ish-bursist Fulbright, PhD, magjistraturë, së bashku me studimet themelore, e që sot sipas Bolonjës i quajnë BA, i vënë në dyshim nga Fakulteti Filozofik në krye me dekanin Bujar Dugolli”, ka thënë ai.

Profesori i Mjekësisë, Mentor Sopjani, po ashtu ka thënë se ka denoncuar rastin e tij në AKK dhe ka kërkuar nga kjo Agjenci ta hetojë rastin e tij. Sopjani, tani profesor asistent, nuk po avancohet në titullin profesor i rregullt apo i asociuar. Sopjani akuzon Rektoratin se nuk po e avancojnë në thirrjen meritore dhe në atë ligjore, duke ia shkelur kështu të drejtën. Gazeta “Zëri” ka mësuar se në AKK po ashtu për padrejtësi ka dorëzuar kërkesë për hetim edhe të rastit të Orjela Stafasanit. Stafasani në shtator ka konkurruar në konkursin e shpallur nga UP-ja për staf të angazhuar, pranë Fakultetit të Filologjisë, në Departamentin e Gazetarisë, dhe është refuzuar. Ndërkohë, gazeta nuk ka marrë përgjigje në pyetjet që ka dërguar AKK-së. Megjithëkëtë, në kuadër të debatit me studentë në muajin dhjetor rreth dukurisë së korrupsionit, organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, Shaip Havolli, drejtor i kësaj agjencie pat bërë ftesë publike që të raportohet korrupsioni në UP.