Asociacioni, kushti i vetëm i Listës Serbe

Aktuale March 01, 2017 - 10:32

Vetëm themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do t’i kthejë në institucionet e Kosovës përfaqësuesit e Listës Serbe. Madje këta të fundit thonë se edhe ndërkombëtarëve ua kanë bërë të ditur një kusht të tillë.

Në anën tjetër, zyrtarët qeveritarë thonë se Asociacioni do të themelohet ndonëse, sipas tyre, një proces i tillë do të marrë kohë.

“Themelimi i Asociacionit do të marrë kohë. Asociacioni nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen në institucione të Listës Serbe. Ne kemi obligim ligjor themelimin e Asociacionit, por kjo do të marrë kohë”, ka thënë për “Zërin” Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa.

Por zëvendëskryeministri, Branimir Stojanoviq, thotë se nuk do të kthehen në institucione pa e themeluar Asociacionin.
"Kërkesa kryesore është që të fillojë formimi i BKS-së, e pastaj të kthehemi në institucione. Që të qëndrojmë në atë që është rënë dakord në Bruksel", ka thënë Stojanoviq, duke shtuar se prania e serbëve në institucionet e Kosovës është që të ndryshojnë kushtet themelore të jetës për serbët.

Haxhiu: Lista Serbe të decertifikohet

Në anën tjetër në subjektin opozitar më të madh në vend, Lëvizjen “Vetëvendosje” (LVV), e konsiderojnë si te pritshme deklaratën e Stojanoviqit. Deputetja e këtij subjekti politik, Albulena Haxhiu, ka thënë se qëllimi i Listës Serbe është ta bëjë jofunksional shtetin e Kosovës. “Deklaratat e tilla janë të pritshme, duke e marrë parasysh faktin sesi është krijuar Lista Serbe, pra qëllimi i tyre është që nëpërmes Kuvendit dhe Qeverisë ta bëjnë jofunksional shtetin e Kosovës, tani edhe me kushtin e krijimit të “Zajednicës”, ka thënë ajo.

Sipas Haxhiuit, Lista Serbe duhet të decertifikohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç thotë ajo, për shkak të politikave hegjemoniste e shoviniste që i merr nga Beogradi. “Ne në vazhdimësi kemi thënë që Lista Serbe nuk duhet të jetë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës. Pra e njëjta duhet të decertifikohet për shkak të politikave hegjemoniste e shoviniste që i merr direkt nga Beogradi”, ka potencuar ai.

Tutje, Haxhiu thekson se përveç Listës Serbe, ata që kanë një zell të madh për ta krijuar ASK-në janë krerët e shtetit. “Përveç Listës Serbe, një zell të madh për ta krijuar "Zajednicën" e kemi parë edhe te treshja Mustafa, Thaçi, Veseli. Për shkak të nënshtrimit të tyre karshi Serbisë, këta njerëz po duan ta jetësojnë këtë projekt që e bosnjëzon Kosovën dhe po të mos ishte rezistenca qytetare dhe opozitare ky projekt do të jetësohej më herët dhe tani do t'i vuanim pasojat”, ka thënë Haxhiu.
“Apetitet e Serbisë mund të ndalen vetëm atëherë kur këta matrapazë që janë në krye të institucioneve të largohen”, ka përfunduar Haxhiu.

Lekaj: Synimi është që Kosova të bëhet jofunksionale

Ndërsa në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës deklarojnë se Lista Serbe nuk është në institucione për ta ndihmuar Kosovën në arritjen e konsolidimit të saj. Shefi i grupit parlamentar të këtij subjekti, Pal Lekaj, vlerëson se qëllimi i kësaj partie është që ta bëjë sa më jofunksionale Kosovën. “Ky grup e ka mision që ta bëjë Kosovën sa ma jofunksionale, por në vazhdimësi janë ndihmuar edhe nga vendorët, partnerët PDK-LDK”, ka thënë Lekaj.

Më tej, Lekaj paralajmëron rrezik nëse vazhdon sjellja aktuale e shefit të Qeverisë.

“Nëse lejohet vazhdimi i të qenit në pushtet i këtij koalicioni qeverisës dhe nëse nuk ka kundërshtim qytetar është shumë rrezik që kryeministri i sotëm të pranojë çdo gjë vetëm për t'ia zgjatur jetën vetes në pushtet”, ka cekur Lekaj, duke besuar që bashkë me qytetarët t’i bëjnë të zhgënjehen ata që po e dëmtojnë vendin.

Mushkolaj: Asociacioni - përgjegjësi, mos të kushtëzohet

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, vlerëson se institucionet kosovare nuk duhet t’i pranojnë kushtet e Listës Serbe. “Krijimi i Asociacionit është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës, por jo pse kushtëzon Lista Serbe. Ky subjekt politik në vazhdimësi ka shantazhuar e ka kushtëzuar institucionet e Kosovës dhe veprimeve të tilla duhet dhënë fund”, ka theksuar Mushkolaj, duke cekur se parim i bashkëqeverisjes duhet të jetë partneriteti e jo kushtëzimi.

Politologu Ramush Tahiri mendon se krijimi i ASK-së është obligim i Qeverisë. “Asociacioni nuk është kusht, është obligim që e ka marrë Qeveria e cila e ka edhe mendimin e Gjykatës Kushtetuese. Lista serbe e bën Zajednicën me pjesëmarrje në Qeveri e në komision për draftim të dokumenteve që procedohen në Kuvend”, ka përfunduar ai.