Pajaziti: PDK-ja do ta udhëheqë Qeverinë e ardhshme

Aktuale February 27, 2017 - 15:30

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së,  Zenun Pajaziti, në një intervistë për "Zërin" është shprehur i vendosur se subjekti i tij politik do t'i fitojë zgjedhjet e ardhshme qendrore, pa marrë parasysh se kur do të mbahen ato. 

Duke folur për akuzën e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ditë më parë fajësoi kryeparlamentarin Kadri Veseli për mosratifikimin e Demarkacionit, Pajaziti ka thënë se tashmë nuk është koha ta sulmojnë njëri-tjetrin, porse të punojnë në këtë drejtim.

“Nuk është momenti t’ia bëjmë me gisht njëri- tjetrit. Është koha të jemi sa më bashkëpunues për ta arritur një përfundim të mirë. Ne si politikanë  jemi dhe kemi obligim e përgjegjësi që të jemi të përgjegjshëm karshi qytetarëve dhe proceseve që na presin”, është shprehur ai gjatë intervistës.

E duke mos u përgjigjur në atë se a do të shkojë vendi në zgjedhje nëse nuk ratifikohet Demarkacioni, Pajaziti ka thënë se për çdo gjë do të vendoset me marrëveshje, shkruan "Zeri.info".

“Është hipotetike të konstatojmë se çfarë do të ndodhë me Demarkacionin. Këtë vit vendi do të shkojë në zgjedhje lokale dhe besoj shumë se çdo zhvillim tjetër do ta ketë konsensusin politik në Kosovë”, ka thënë ai.

E pavarësisht këtyre, Pajaziti ka thënë se PDK-ja është e gatshme kurdoherë të hyjë në zgjedhje. Me këtë rast, partia më e madhe në vend aktualisht, sipas tij, do ta marrë postin e të parit të ekzekutivit dhe do ta qeverisë vendin pas zgjedhjeve të ardhshme.

“Natyrisht PDK-ja si subjekti më i madh në Kosovë gjithmonë është e përgatitur për procese politike dhe elektorale. Nëse krijohet një momentum i tillë ne jemi të gatshëm. Por, tani nuk është koha për agjenda elektorale. Është koha për reflektim shtetëror e kombëtar.  Sa i përket pozitës së kryeministrit, natyrisht të gjitha subjektet synojnë këtë, por ne si partia e parë pas zgjedhjeve kurdo që mbahen, pa dyshim se do të udhëheqim me qeverinë e ardhshme”, ka përfunduar shefi i GP-së së PDK-së./Zeri/.