Lista Serbe kthehet për Asociacionin

Aktuale February 22, 2017 - 08:19

Qeveria është duke e pritur kthimin e përfaqësuesve të Listës Serbe në Qeveri dhe në Kuvend për t’i filluar bisedimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe

Qeveria “Mustafa” është në pritje të kthimit të Listës Serbe në institucionet e vendit, në mënyrë që të vazhdohet me bisedimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar Zyra e kryeministrit të vendit, ndërsa subjektet opozitare vazhdojnë ta kundërshtojnë themelimin e këtij Asociacioni të cilin e konsiderojnë si projekt për defunksionalizimin e shtetit.

Opozitarët thonë se Asociacioni mund të themelohet vetëm si organizatë joqeveritare dhe pa ndonjë kompetencë ekzekutive, në të kundërtën thonë se do të kundërshtojnë fuqishëm jetësimin e këtij projekti.

Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, ka thënë për “Zërin” se Zyra e kryeministrit vazhdimisht është në kontakte me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe se janë në pritje të kthimit të këtij subjekti në institucione për të filluar bisedimet për themelimin e Asociacionit.

“Ne po bisedojmë me përfaqësues të niveleve të ndryshme të Listës Serbe në vazhdimësi. Ne presim që Lista Serbe të kthehet në mënyrë që të fillojmë bisedimet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, ka deklaruar Gecaj, duke shpresuar që ky subjekt politik të kthehet sa më shpejt në institucione.

Por shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq, ka thënë për mediet në vend se Lista Serbe nuk është duke menduar për kthim në institucione.

Në anën tjetër, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë se Qeveria nuk është e hapur me deputetët për të dhënë sqarimet e nevojshme.

Ajo ka thënë se Marrëveshja e 25 gushtit 2015 për themelimin e Asociacionit është rrëzuar nga Kushtetuesja, prandaj thotë se Asociacioni i ri nuk duhet të jetë asgjë më shumë sesa një organizatë joqeveritare.

“Gjykata ka dhënë një vendim, ndërsa Qeveria sikurse në rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve, kur nuk ka qenë e hapur me deputetët, as tani nuk është e hapur me ta për t’ua sqaruar situatën. Kjo marrëveshje në fakt është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, andaj Asociacioni do të duhej të themelohej konform ligjit, si OJQ dhe asgjë më shumë. Kështu duhet të veprojë Qeveria dhe duhet të jetë më e hapur, por ajo nuk ka qenë kurrë e hapur”, është shprehur Haxhiu.

Më tej, deputetja e AAK-së ka përsëritur qëndrimin e këtij subjekti se do ta kundërshtojnë çdo ndërhyrje në sistemin aktual të vendit.

“Ne sigurisht që do ta kundërshtojmë çdo ndërhyrje që prek funksionalitetin e shtetit, sepse janë duke punuar në drejtime të rrezikshme që çojnë kah një pushtet i tretë, sado që Gjykata e ka dhënë mendimin e vet. Mirëpo ne do ta kundërshtojmë si opozitë dhe jo vetëm si opozitë por edhe si deputetë”, ka përfunduar Haxhiu.

Kurse, deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka thënë se fakti që Qeveria “Mustafa” e pret Listën Serbe për të marrë vendime që, sipas tij, janë të dëmshme për Kosovën, dëshmon se kjo Qeveri duhet të bie.

“Vetë fakti që e presin listën “Srbska” (që është politikë zyrtare e Vuqiqit) që të kthehet në institucione të Kosovës për të marrë vendime të disfavorshme për Kosovën, e në favor të Serbisë, dëshmon se sa më shpejt që bie kjo Qeveri është aq më mirë për Kosovën. Asociacioni është kupola e projekteve të rrezikshme për fatin e funksionalitetit të shtetit, prandaj nuk duhet të themelohet”, ka potencuar Berisha.

Për më tepër, ai ka thënë se Lista Serbe duhet të çregjistrohet pasi, sipas tij, ky subjekt politik nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

“Lista “Srbska” duhet të çregjistrohet si subjekt politik për shkak se ata nuk e njohin Republikën e Kosovës e as Isa Mustafën. Këtë të fundit e njohin vetëm kur u duhet për ta realizuar ndonjë projekt të dëmshëm për Kosovën”, ka shtuar Berisha, duke thënë se me të gjitha mundësitë do ta kundërshtojnë dëmtimin e funksionalitetit të shtetit.

Ndërkohë, analisti Blerim Burjani ka thënë se gjatë hartimit të Statutit të Asociacionit duhet të merren parasysh vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese. Burjani ka thënë se ky do të jetë një proces i vështirë.

“Statuti duhet të punohet në mënyrë të kujdesshme duke e pasur parasysh atë që e ka thënë Gjykata Kushtetuese kur e ka vlerësuar marrëveshjen për themelimin e këtij Asociacioni të arritur në Bruksel. Por dihet se pala serbe, duke e përfshirë edhe Listën Serbe, ka qëndrim tjetër për kompetencat e Asociacionit. Prandaj ky do të jetë problem i madh”, ka vlerësuar Burjani.

Madje, ai ka thënë se beson që pa ndërhyrjen e Bashkimit Evropian vështirë që do të arrihet ndonjë pajtim për çështjen e këtij Asociacioni.

Gjithashtu, sipas tij, është e rëndësishme që edhe opozita të jetë pjesë e hartimit të Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.