Kongresistët amerikan: Kosovën e vizituam të parën, kjo tregon se Amerika e mbështet pa rezervë

Aktuale February 19, 2017 - 10:02

Kongresistët e administratës së re të presidentit amerikan Donald Tramp, Peter Roskam dhe David Price, po qëndrojnë për një vizitë zyrtarë në Kosovë.

Ata janë pritur sot nga kryeparlamentari Kadri Veseli, ku me ç’rastë kanë mbajtur edhe një konferencë për media.

Pas këtij takimi, Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se pas vizitës në SHBA, vizita e kongresistëve amerikanë konfirmon edhe njëherë përkrahjen e fuqishme nga SHBA për Kosovën edhe nga administrata e re e udhëhequr nga Donald Trump.

“Unë jam shumë krenar dhe falënderoj kongresistët  amerikanë që erdhën në Kosovë për t’i dhënë  edhe një shtytje bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Amerikës. Ne jemi shumë falënderues për mbështetje historike. Ne kemi dëgjuar vetëm mesazhe të lirisë nga kongresistët amerikanë. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me Amerikën për ta zhvilluar shtetin tonë dhe demokracinë e vendit tonë, në të njëjtën kohë për të ecur në një partneritet të përjetshëm. Zoti e bekoftë Kosovën dhe SHBA-të”, ka thënë Veseli.

Ndërsa, Peter Roskam, anëtar i Kongresit amerikan, ka thënë se marrëdhëniet me Kosovën janë shumë të mira, duke shtuar se Kosova është në agjendën e SHBA-ve ashtu siç ka qenë nga të gjitha administratat dhe asgjë nuk ka ndryshuar, në aspektin e mbështetjes.

“Ne përfaqësojmë dhomën e përfaqësuesve kemi një marrëdhënie me Kuvendin e Kosovës. Mendojmë se një Kuvend i fortë do të thotë Kosovë e fortë dhe një Kosovë e fortë është një demokraci e fortë që i bën mirë rajonit dhe tërë botës. Ky është rasti i parë që anëtarët e Kongresit udhëtojnë jashtë SHBA-ve pas betimit të bërë muajin e kaluar. Kosova është ndalesa jonë e parë. Kjo ndodh sepse ky vend është shumë i rëndësishëm. E gjithë bota i ka sytë kah Kosova dhe e gjithë bota po punon për Kosovën në njëfarë forme. Ne padyshim se jemi. Ne besojmë se një Kosovë stabile, ku janë të përfshira të gjitha palët qeverisëse, është ajo Kosovë që ne e dëshirojmë”, deklaroi Roskam.

Po ashtu edhe kongresisti tjetër, David Price, deklaroi se Amerika ka investuar në Kosovë dhe ky udhëtim në Kosovë tregon se pavarësisht ndërrimit të administratës Kosova ka mbështetja të parezerva.

“Vendi ynë është i kënaqur me atë që ka investuar për të ardhmen e këtij vendi dhe me atë që ju keni luftuar për të ardhmen tuaj. Kemi pasur telashe edhe brenda vet vendit tonë, por siç tha kolegu, kjo është vizita jonë e parë jashtë SHBA-ve pas transicionit që ka ndodhur. Një pjesë qëllimit të kësaj vizite është që të japim sinjalin se pavarësisht ndryshimeve në udhëheqësin e vendit tonë, ne kemi një politikë dy-partiake në Ballkan, e në veçanti me Kosovën, dhe jemi të përkushtuar që këtë politikë ta vazhdojmë. Kemi qenë me Kosovën që nga fillimi. Dhe ne e forcuam partneritetin menjëherë pas pavarësisë”, theksoi Parice.