Në urimin për pavarësi presidenti gjerman përmend medaljen olimpike e MSA-në

Aktuale February 17, 2017 - 20:07

Presidenti i Republikës Federative të Gjermanisë, Joachim Gauck, i ka dërguar një letër urimi presidentit Thaçi me rastin e nëntëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit.

Në urimin e tij, kreu i shtetit gjerman ka shkruar se vitin që shkoi Kosova ka arritur prezantim dhe njohje më të gjerë ndërkombëtare, së fundmi, siç thuhet në letrën e urimit, përmes pjesëmarrjes së suksesshme në Lojërat Olimpike, njofton kumtesa, përcjell "Zeri.info".

“Në emrin tim dhe në emër të bashkatdhetarëve të mi, Juve dhe të gjithë qytetarëve të vendit Tuaj ju përcjell urimet e mia të përzemërta për Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Vitin e kaluar Kosova ka arritur prezantim më të gjerë dhe njohje ndërkombëtare, së fundmi përmes pjesëmarrjes së suksesshme në Lojërat Olimpike. Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Kosova ka shënuar një tjetër moment vendimtar në rrugën e saj drejt afrimit me Bashkimin Evropian. Kjo i ofron ekonomisë kosovare perspektiva të rëndësishme zhvillimore”, thuhet në letrën e urimit të presidentit Gauck.

Ai ka inkurajuar presidentin Thaçi për veprimet e tij, ashtu që Kosova në mënyrë konsekuente të vazhdojë edhe më tej rrugën e reformave dhe të përmirësimit të marrëdhënieve fqinjësore edhe me Serbinë.

“Edhe në emër të bashkatdhetarëve të mi, kosovarëve iu dëshiroj një të ardhme në paqe, mirëqenie dhe liri – dhe Juve personalisht mbarësi”, ka shkruar presidenti gjerman Joachim Gauck në urimin e tij.