Shala: Serbia nuk nis luftë ku është NATO-ja

Aktuale January 17, 2017 - 08:06

Deputeti Haxhi Shala thotë gjatë një interviste për “Zërin” se në Kosovë janë të pranishme forcat e NATO-s (KFOR-i) dhe ku është e pranishme forca më e fuqishme ushtarake në botë Serbia nuk mund të bëjë gabim dhe të futet ushtarakisht, pavarësisht paralajmërimit të presidentit Tomislav Nikoliq.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Haxhi Shala, hedh poshtë mundësinë që Serbia t’i nisë forcat ushtarake për të ndërhyrë në veri të Kosovës, ashtu siç paralajmëroi të dielën presidenti serb, Tomislav Nikoliq.

Gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, deputeti Shala thotë se në Kosovë janë të pranishme forcat e NATO-s (KFOR-i) dhe ku është e pranishme forca më e fuqishme ushtarake në botë, Serbia, siç thotë ai, nuk mund të bëjë gabim dhe të futet ushtarakisht. “Në një territor ku është e pranishme NATO nuk besoj se Serbia mund të bëjë gabim dhe të futet ushtarakisht”, shprehet Shala.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” kreu i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së pranon se Serbia do të vazhdojë me provokimet e tilla në Kosovë, mirëpo, sipas tij, forcat e sigurisë në vend (AKI dhe Policia e Kosovës) po i kryejnë detyrat e veta në mënyrën më të mirë të mundshme.

Zëri: Javën e kaluar Serbia nisi një tren provokues për në veri të Kosovës, të cilin nuk e lejoi Policia e Kosovës, cili ishte qëllimi i Serbisë duke u bazuar në provokimet e vazhdueshme që po ia bën Kosovës?

Shala: Ne si Kosovë jemi mësuar  nga provokimet e vazhdueshme nga shteti serb. Por këtyre provokimeve institucionet tona nuk u janë kundërvënë asnjëherë për t’i ndaluar si: kontrabandën në veri, pompat e benzinës që menaxhohen nga shteti serb, muri së fundi, ngritja e bustit të Car Lazarit në veri të Mitrovicës dhe më në fund edhe treni, që ka qenë një provokimi jashtëzakonisht i madh jo vetëm për Kosovën, por edhe për Bashkimin Evropian. Serbia është duke e luajtur një lojë në të cilën është duke u munduar që Kosovën ta nxjerrë si një shtet jofunksional, duke e provokuar me raste të ndryshme në qoftë se kundërvihen institucionet e Kosovës, ajo do të shfaqet si viktimë, se shteti i Kosovës po nxit luftë. Këtë e bëri edhe në intervistat e fundit Kryeministri serb, Vuçiq, ai deshi të nënkuptohet se Kosova tentoi të nxisë luftë.

Zëri: A po arrin Serbia ta shfaqë Kosovën keq në sytë e ndërkombëtarëve?

Shala: Serbia është duke u munduar që të na shfaqë keq në sytë e ndërkombëtareve dhe është duke e kryer punën e vet, por ne duhet të brengosemi se sa janë institucionet tona të gatshme t’i kundërvihen këtij mekanizmi të shtetit serb. Për t’i larguar bindjet e tyre se Kosova nuk mund të qeverisë, nuk mund të funksionojë si shtet, kjo duhet të na brengosë më së shumti.

Serbia me Veriun, si Rusia me Krimenë

Zëri: Ekspertët ushtarakë dhe të sigurisë alarmojnë se Serbia synon aneksimin e Veriut, madje edhe presidenti serb dje ka paralajmëruar mundësinë e dërgimit të ushtrisë në Kosovë. Ju si kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së, çfarë informacionesh keni në këtë drejtim?

Shala: Serbia qysh nga vitet ‘99 dhe izolimit të asaj pjese që nga paslufta, çdoherë synon që veriu i Kosovës të jetë pjesë e Serbisë, si rasti i Krimesë që ndodhi mes Rusisë e Ukrainës. Por se a do të mund ta arrijë këtë, varet se nga do të shkojë edhe dialogu Prishtinë - Beograd, si do ta zhvillojnë institucionet tona, por edhe njëkohësisht sa janë të gatshme institucionet tona të ballafaqohen me këto provokime.

Zëri: Kë e ka krah të fuqishëm Serbia për të ndërmarrë një veprim të tillë?

Shala: Serbia mik të përhershëm e ka Rusinë, dhe nuk është të nënçmohet Rusia, sepse është një superfuqi dhe mund të na nxjerrë telashe sa herë të do në rajon, sepse jemi edhe ashtu vende të vogla në rajon.

AKI-ja po e kryen punën mirë

Zëri: Sa është e gatshme Policia e Kosovës dhe AKI-ja të përballen me ndërhyrjet e brendshme që ia bëjnë shërbimet sekrete serbe në Kosovë?

Shala: Policia e Kosovës si mision e ka ofrimin e sigurisë për qytetarët e Kosovës, dhe duhet të jetë e gatshme çdoherë që të ofrojë sigurinë e qytetarëve brenda territorit të Republikës së Kosovës. Besoj që AKI-ja është duke kryer punën e vet jashtëzakonisht mirë, është duke i mbledhur informacionet në veriun e Kosovës.

Zëri: A është e nevojshme që Policia e Kosovës të pajiset me armatim shtesë, duke përfshirë këtu edhe blerjen e helikopterëve e duke u bazuar në zhvillimet e fundit në aspektin e sigurisë në vend?

Shala: Brenda Kosovës i kemi forcat e NATO-s edhe për ato mekanizma ushtarake që po pyetni ju nuk kemi nevojë, sepse NATO-n e kemi këtu. Në një territor ku është NATO-ja nuk e besoj se dhe Serbia mund të bëjë një gabim të tillë dhe të futet ushtarakisht në një territor ku është vetë ajo. Kurse për rendin dhe sigurinë brenda territorit të Kosovës besoj që Policia e Kosovës e kryen me suksese dhe duhet ta kryejë.

Zëri: A ishte i koordinuar me autoritetet ndërkombëtare vendimi i presidentit Thaçi që ta urdhërojë njësitin ROSU për ndaljen e trenit nga Serbia apo ishte një vendim kokë në vete?

Shala: Ne i patëm dy deklarata të ndryshme dje. Deklaratën e kryeministrit, i cili thotë se  duhet të koordinohen të gjitha institucionet e Kosovës, kurse deklarata e presidentit se unë e kam dhënë  urdhrin për intervenimin e forcave të policisë në veri. Atij edhe me Kushtetutë nuk i takon një urdhër i tillë, por sidoqoftë nëse me të vërtetë e kanë pritur një urdhër nga presidenti për të intervenuar, për të garantuar sigurinë e brendshme në Kosovë, atëherë z. Thaçit s’i mbetet gjë tjetër vetëm ta shkarkojë edhe kryeministrin dhe ta çojnë vendin në zgjedhje, sepse edhe Qeveria nuk është në gjendje të udhëheqë shtetin e Kosovës. Është frikacake për të marrë vendime, të cilat nuk i takojnë presidentit, por ministrit të Punëve të Brendshme, kryeministrit. Unë besoj që institucionet e sigurisë, Policia, e ka bërë vetë këtë veprim, sepse është mision i tyre.

Serbia nuk ndalet me kaq

Zëri: A ka mundësi që të tensionohet situata e sigurisë në vend pas zhvillimeve të fundit?

Shala: Në qoftë se nuk ka qenë i koordinuar mes Vuçiqit dhe Thaçit ky veprim i trenit, situata do të tensionohet, sepse Serbia nuk ndalet me kaq. Veprimi i fundit i Kosovës karshi Serbisë është vonuar, sepse është dashur edhe në situata tjera të ketë këso veprimesh, si në kontrabandën me naftë dhe në ekonominë e zezë dhe në veri të Mitrovicës në largimin e murit sa më shpejt.

Zëri: Kryeparlamentari Veseli bëri të ditur se muri do të largohet deri më 17 shkurt. Sa besoni se muri do të rrënohet deri në këtë datë, si dhe a prisni të ketë tensione pas këtij vendimi?

Shala: Është një rezolutë e parlamentit të Kosovës dhe besoj se Qeveria do ta respektojë këtë rezolutë dhe në muajin janar të largohet ai mur në pjesën e veriut. Gjithçka mundet të ndodhë edhe revolta e qytetarëve por kjo s’duhet ta frikësojë shtetin. Në qoftë se muri është vendosur jashtë ligjeve të shtetit, ai duhet të hiqet. Muret janë simbole të ndarjes dhe në Kosovë nuk kemi nevojë për këto mure.

Zëri: Serbët e vendosën murin në veri, pak javë më pas u arrestua dhe ish-kryeministri Haradinaj me një fletarrestim serb, si dhe tani u lëshua një tren nga Beogradi në drejtim të veriut. Si i komentoni këto provokime të njëpasnjëshme të  Serbisë?

Shala: Unë besoj se të gjitha këto veprime kanë qenë jashtëzakonisht të koordinuara mirë nga Serbia dhe të fabrikuara aq bukur, por mendoj se qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm se kanë institucione. Nuk është se jemi si në vitin 2004, kur kanë ndodhur trazirat, jemi në vitin 2017 dhe institucionet tona janë shumë më të fuqishme në krahasim me atë periudhë.

Zëri: A vlerësoni se pas këtyre ngjarjeve duhet të vazhdojë dialogu Prishtinë - Beograd?

Shala: Dialogu me Serbinë nuk ka më kuptim. Në momentin që një shtet bën marrëveshje, atëherë pse provokon ai shtet.

Zëri: A do të jetë keq për Kosovën ndërprerja e dialogut?

Shala: Jo, aspak. Brukseli do të mendojë ndryshe, ngadalë se me Kosovën nuk mund të bisedohet siç është duke u biseduar tash. Do të krijohet një mendim se a po dëshirojmë dialog teknik apo politik. Ka filluar si teknik e është bërë politik, sepse Serbia është një shtet jashtëzakonisht i organizuar në krahasim me neve.

Zëri: A kemi unitet si shtet në këto momente kur Serbia po e provokon Kosovën?

Shala: Për çështje kombëtare jemi të bashkuar, për çështje nacionale duhet të kemi unitet.