Koci: Serbia e ka halë në sy Haradinajn

Aktuale January 12, 2017 - 18:00

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është liruar sot nga ndalimi policor në Francë.

Gjykata në Colmar të Francës ka vendosur që Haradinaj të lihet i lirë, por me kusht që të mos dalë nga Franca dhe dy herë në javë të lajmërohet tek autoritetet policore.

Kjo situatë do të vazhdojë derisa të shqyrtohet kërkesa e Serbisë për ekstradim të Haradinajt. Kjo kërkesë do të shqyrtohet në një periudhë nga 18 deri në 40 ditë.

E, lidhur me mundësinë e ekstradimit apo jo të Haradinajt në Serbi, avokati i tij Arianit Koci ka thënë për Telegrafin se nuk ka kurrfarë gjasash që ish-kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj të ekstradohet në Serbi.

“Për momentin ai është liruar me kusht deri në arritjen e kërkesës së Serbisë për ekstradim. Serbia po i keqpërdorë të gjitha mjetet juridike për ta zvarritur këtë procedurë. Keni parasysh, Ramush Haradinaj është hero i gjallë, prandaj Serbia e ka halë në sy”, ka thënë Koci, për Telegrafin.

Ai ka shtuar se Serbia e ka mision që ta sulmojë dhe dëmtojë Ramush Haradinaj.

“Prej të gjallëve z.Haradinaj është personi që më së shumti ka kontribuar në lirinë tonë, prandaj Serbia e ka mision që sa më shumë ta sulmojë dhe ta dëmtojë atë”, u shpreh Koci, duke shtuar më tej se këtë Serbia nuk ja ka arritur dhe nuk do ta arrijë kurrë.

Pas vendimit të gjykatës franceze, Haradinaj u ishte drejtuar gjykatësve se po bëjnë abuzimin e të drejtave të njeriut.

“Këto akuza vijnë nga Serbia, janë thjesht politike. Ajo që po bëni ju këtu, është abuzim i të drejtave të njeriut”, u tha Haradinaj në gjuhën frënge gjykatësve.

Ish-kryeministri ishte ndaluar një javë më parë nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.