Reagon SBASHK-u: Mësimdhënësit nuk janë fajtor për rezultatet e PISA

Aktuale December 08, 2016 - 13:48

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka reaguar ndaj institucionet arsimore, qendrore e lokale, si dhe ndaj të tjerëve që të mos humbin kohë duke bërë me gisht e duke shpallur fajtorin, por të marrin masa për të përmirësuar gjendjen në arsim.

“Të gjithë po ndihemi keq për arsye të rezultateve të tilla dhe koha kërkon mobilizim të përbashkët. Duhet ta kemi të qartë se gjendja nuk ndryshohet me ‘shpëtimtar’ e me vajtore. Rezultate jo të mira në PISA kanë pasur edhe shtete me traditë e shumë të fuqishme ekonomikisht. Edhe Gjermania nuk kishte dalë mirë dikur në PISA, por ata nuk humben kohë duke lotuar e duke sharë. U mobilizuan atje të gjithë dhe arritjet u shtuan”, thuhet në reagimin e sindikatës.

Në këtë reagim madje sindikata thekson se në Kosovë u nguten në vlerësime e mendime dhe u munduan ta gjejnë fajtorin duke bërë me gisht drejt mësimdhënësve.

“Ju kujtoj gjithë atyre ‘shpëtimtarëve’ dhe vajtoreve se mësimdhënësit tanë kanë bërë gjithë të mundurën. U pajtuan me reformat dhe u munduan t’i vënë në jetë. U pajtuan të dërgoheshin në ngritje profesionale pa shkëputje nga puna, u pajtuan të shkojnë në trajnime e trajnime. Të tjerët vendosnin pa i pyetur mësimdhënësit për reformat, trajnimet dhe për eksperimente e eksperimente me klasat e 13-ta , me klasat e pesta e të nënta dhe me nguti të tjera. As për këto nuk duhet humbur kohë tani për të gjetur fajtorin , por duhet mësuar nga pësimet dhe duhet menduar të gjithë bashkë çka tani e tutje”, raporton Zëri.info.

SBASHK kërkon që të shihet drejt e në sy realitetin.

“Shkollës ia kanë marrë gjithë autonominë. Shkolla nuk pyetet as për pranim kuadrosh e as kush do të jetë menaxher a drejtor. Nga prindërit dhe në emër të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve te nxënësit është krijuar bindja se ata mund të bëjnë çfarë t’u teket. Gjithë këto dhe shumë të tjera kanë ndikuar në këtë gjendje nga e cila dilet me angazhimin dhe pajtueshmërinë e të gjithëve. Të gjithë mësimdhënësit e Kosovës janë ndier keq me rezultatet e PISA dhe janë të gatshëm të marrin pjesën e vetë të barrës për të përmirësuar gjendjen, por nëse mbesin vetëm në këto angazhime atëherë nuk ka si të priten ndryshime të mëdha pozitive”, thuhet në këtë reagim.

SBASHK-u theksohet ka bërë angazhime konkrete për ngritjen e cilësisë në bashkëpunim me GIZ dhe do të vazhdojë me këto angazhime, por do të reagojë vazhdimisht ndaj tendencave të individëve apo ndonjë institucioni për ta nënçmuar mësimdhënësin e për ta shpallur fajtor kujdestar atë.

“Mësimdhënësit nuk meritojnë nënçmime, e vënie në pikëpyetje të dijes e përkushtimit të tyre po meritojnë përkrahje nga të gjithë nëse vërtetë duam arritje të lakmueshme në arsim”, thuhet në reagim. /Zëri.info