Inspektohen institucionet shëndetësore që kryejnë IVF-në

Aktuale November 11, 2016 - 08:27

Institucionet shëndetësore të cilat merren me kryerjen e procedurave të IVF-së po i nënshtrohen një inspektimi të rreptë të Inspektoratit Shëndetësor. Kjo me qëllim të vërtetimit të dyshimeve të ngritura në një raport të KFAM-it për parregullsi gjatë frytnimit të asistuar. Inspektorati në këtë fazë nuk jep detaje lidhur me të gjeturat
Inspektorati Shëndetësor i Kosovës po inspekton të gjitha institucionet private shëndetësore që merren me frytnimin e asistuar mjekësor. Kjo pas publikimeve që ka bërë gazeta “Zëri” të një varg artikujsh në lidhje me të gjeturat e Komisionit për Frytnimin e Asistuar Mjekësor (KFAM) gjatë monitorimit të këtyre institucioneve lidhur me sigurimin e spermës dhe qelizave vezë.

Shaban Osmanaj, zëvendëskryeinspektor shëndetësor, ka thënë për “Zërin” se pas raportit të Komisionit për Frytnimin e Asistuar Mjekësor (KFAM), me rekomandim edhe të ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, që nga java e kaluar kanë bërë një varg inspektimesh sistematike. Inspektimet ndërlidhen, sipas tij, me respektimin e Udhëzimit Administrativ 06/2013, që e rregullon fushën e shërbimit shëndetësor për frytnimin e asistuar mjekësor.

 Inspektorati nuk flet për të gjeturat shkaku i hetimeve

“Inspektimi ka filluar javën që shkoi dhe pritet të mbarojë deri në fund të kësaj jave”, ka thënë Osmanaj, duke potencuar se Inspektorati Shëndetësor pa përjashtim ka inspektuar të gjitha klinikat që merren me IVF-në. Por Osmanaj nuk ka folur për të gjeturat, duke u arsyetuar se kjo mund të pengojë procesin e inspektimit.

“Ende nuk është bërë raporti i inspektimit e ku do të potencohen të gjeturat. Ajo që mund t’ju themi tash është fakti se qëllimi i raportit është të konfirmohen dyshimet e ngritura nga ana e KFAM-it”, ka thënë Osmanaj.

Sipas tij, disa nga dyshimet e ngritura nga KFAM-i megjithatë janë vërtetuar. “Por, momentalisht meqë jemi në fazë të hetimeve nuk mund të flasim për detajet tjera”, ka thënë Osmanaj, zëvendëskryeinspektor shëndetësor.

Ai ka thënë se njoftimi për detaje do të jepet tek pasi të përfundojë raportit nga ana e Inspektoratit Shëndetësor. “Veprimet do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat”, ka thënë Osmanaj, duke bërë me dije se raporti do t’u dorëzohet subjekteve të inspektuara, si dhe ministrit të Shëndetësisë.

Gazeta “Zëri” ka raportuar para pak ditësh se spitalet private që po merren me procedura të IVF-së po manipulojnë duke bërë përzgjedhjen e gjinisë dhe duke blerë spermë e vezore nga shtetet fqinjë. Kjo thuhet edhe në një raport të KFAM-it, në të cilën ngrihen dyshime rreth kësaj çështjeje.

Dhuruesit, sipas hulumtimit të bërë nga gazeta “Zëri” kryesisht janë studentët që spermën dhe qelizat vezë i shesin në marrëveshje me spitalet që ofrojnë shërbimet IVF.

Ndërkohë që në raportin tejet sensitiv që KFAM-i ia ka dorëzuar ministrit Imet Rrahmani ngrihen dyshime edhe për përzgjedhjen e gjinisë gjatë procedurave të IVF-së, akt ky i ndaluar rreptësishtë me ligj.

Raporti i zbuluar nga ana e gazetarit të "Zërit" është një dokument prej dhjetë faqe përmbajtjeje dhe zbulon hollësi të gjeturash pas vizitave monitoruese të anëtarëve në spitalet e licencuara për Gjinekologji, Infertilitet dhe Endokrinologji e që ndërlidhet me procedurat e Frytnimit të Asistuar Mjekësor (FAM).

 Kërkesa për konfirmimin e dyshimeve po zbatohet nga Inspektorati Shëndetësor

Në gjithë sektorin privat të monitoruar evidentohet një katrahurë derisa hulumtimi i gazetës "Zëri" zbulon se pos problemeve në terren Kosova nuk e ka një bankë adekuate për dhurimin dhe ruajtjen e spermës dhe qelizave vezë.

Këtë mungesë, të cilën e ka zbuluar “Zëri”, po e shfrytëzojnë spitalet private për të bërë marrëveshje të fshehta me dhuruesit anonimë të spermës dhe qelizave dhe kjo në emër të një pagese, që bëhet për shpenzimet ditore të donatorit.

Sperma apo qelizat në këto raste mund të përdoren për fekondim artificial tek çiftet që për arsye të ndryshme nuk mund të lindin fëmijë në rrugë natyrale dhe që kërkohet kryerja e procedurave të fekondimit artificial.

Pas publikimit të raportit, në një prononcim për “Zërin” kryetarja e KFAM-it, Myrvete Paçarada, ka thënë se dyshimet që ata kanë ngritur si Komision duhet të vërtetohen nga ana e Inspektoratit.

Përndryshe, ajo ka thënë se përzgjedhja e gjinisë shkakton disbalancë gjinore, derisa moskontrollimi i donatorit të spermës dhe qelizave pos rrezikut të bartjes së sëmundjeve, sipas saj, pas 20 vjetësh mund të çojë në martesa mes vëllait e motrës.

“Ndonëse me ligj është shumë mirë e rregulluar që donatori nuk paguhet përveç mëditjeve të ushqimit. Por, shtrohet pyetja pse një njeri vjen prej një qendre në qendrën tjetër të bëhet donator? Çka e detyron atë t’i lërë punët e veta e të vijë si donator? A jemi aq humanë ne apo ekziston edhe diçka tjetër prapa asaj?!”, ka thënë Paçarada.