Akuzohet koalicioni për ndëshkimet nga BE-ja

Aktuale November 11, 2016 - 08:06

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë thënë se Raporti për Kosovën i vitit 2016 është ndëshkim për politikanët kosovarë, të cilët nuk po i kryejnë obligimet e veta. Opozita dhe analistët akuzojnë Qeverinë për neglizhencë në procesin integrues, ndërsa pushtetarët pas 17 vjetësh zotohen për fleksibilitet

Notat e dobëta që i ka marrë Kosova nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit i adresohen Qeverisë së Kosovës dhe “Koalicionit të elefantëve”, i cili ka lënë pas dore agjendën integruese, duke u marrë më punë periferike. Kështu të paktën konsiderojnë përfaqësuesit e opozitës dhe analistët politikë, sipas të cilëve “pengesë kryesore e integrimit është Qeveria”. Ndërkaq pas “shuplakës” nga Brukseli autoritetet në Prishtinë janë zotuar se kësaj here do t’i marrin seriozisht vërejtjet dhe rekomandimet e BE-së duke qenë më fleksibilë në përmbushjen e detyrave.
Përfaqësuesja speciale e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalyia Apostolova, ka thënë se raporti i fundit është ndëshkim për politikanët, madje ajo ka thënë se nuk do të ketë liberalizim të vizave pa luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe pa ratifikim të Demarkacionit.

“Nëse duam ta ndëshkojmë dikë përmes këtij Raporti janë politikanët, të cilët nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i përmbushur këto dy kushte”, ka deklaruar Apostolova.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, është zotuar se institucionet do t’i zbatojnë rekomandimet e potencuara në Raportin për Kosovën. “Rrugëtimi ynë është i qartë dhe i palëkundur drejt Bashkimit Evropian. Çdo të gjetur në këtë Raport ne e pranojmë plotësisht, si progresin, ashtu edhe kritikat, sepse janë shumë reale”, është shprehur Veseli.

 Qeveria “Mustafa”, pengesë në procesin integrues

Në anën tjetër lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Raporti i fundit i Komisionit Evropian konfirmon shqetësimet për defektet serioze në qeverisje. “Raporti i Progresit konfirmoi shqetësimet tona për defektet serioze qeverisëse. Ky Raport konstaton se Kosova ka probleme serioze me krimin e organizuar, korrupsionin dhe pothuajse të gjitha proceset integruese. Qeveria e Kosovës ka stagnime serioze, pikërisht në fushat ku krerët e Qeverisë pretendojnë se ka sukses”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.
Kreu i AAK-së më tej ka thënë se politikat e zhvillimit ekonomik e posaçërisht të punësimit kanë dështuar, ndërsa arsimi, sipas tij, është në gjendje të rëndë, kurse sundimi i ligjit është vetëm në letër.
Haradinaj ka thënë se Qeveria është pa fokus qeverisës, me vendime ad-hoc, me kosto të lartë dhe tërësisht pa llogaridhënie. Madje, sipas tij, Qeveria “Mustafa” është pengesë në rrugën evropiane për Kosovën.
“E paaftë që t’i realizojë edhe objektivat të cilat ia ka caktuar vetes. Kjo Qeveri në këtë Raport lavdërohet vetëm për votimin e Dhomave të Posaçme, dialogun dhe iniciativa që mbesin pa u zhvilluar. Mund të thuhet se kjo Qeveri nuk ka karakter integrues, përkundrazi ajo edhe këtë vit dëshmoi se është pengesë në rrugën evropiane të Kosovës! Kosova nuk ka kohë për të humbur, prandaj vendi duhet që sa më parë të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka shtuar Haradinaj.
I pari i AAK-së ka thënë se zgjedhjet duhen parë si mundësi e forcimit të shtetit ligjor dhe rritjes së ekonomisë së vendit, por edhe e kthimit të fuqisë në vendimmarrje.

Përsëritja e dështimeve

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi, ka thënë se edhe Raporti i këtij viti sikurse ai paraprak konstaton se Qeveria e Kosovës nuk është e aftë ta nxjerrë vendin nga kriza.
“Raporti numëron ngecjet në të gjitha fushat qeverisëse të vendit, si në atë të drejtësisë, të ekonomisë, korrupsioni i përhapur në shumë fusha, emërimet politike në borde, etj. Edhe ky Raport sikur ai i vitit të kaluar konstaton se kjo Qeveri nuk është e aftë ta nxjerrë vendin nga kriza dhe joefiçienca në të cilën ka rënë”, është shprehur Sherifi, duke thënë se sa më shpejt që kjo Qeveri dorëhiqet në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, aq më mirë për vendin.
Ndërkohë profesori universitar, Blerim Burjani, ka thënë se neglizhenca e Qeverisës ndaj vërejtjeve të Bashkimit Evropian është njëra ndër arsyet kryesore që Kosova nuk po arrin progres në këto çështje.
“Neglizhenca e Qeverisë është njëri ndër faktorët kryesorë pse nuk ka ndonjë përparim në shumicën e temave. Luftimi i korrupsionit nuk po kërkohet vetëm përmes këtij Raporti, por edhe në raportet tjera dhe në deklarimet e përditshme nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, mirëpo kjo Qeveri nuk ka ndonjë ide sesi të veprojë konkretisht, për më tepër mendoj se nuk ka as vullnet për të ndalë korrupsionin, nepotizmin, keqpërdorimet”, ka vlerësuar Burjani.
Ai më tej ka thënë se pavarësisht vërejtjeve të BE-së për mospolitizim të bordeve të agjencive të pavarura dhe të ndërmarrjeve publike, si dhe në administratën publike, partitë në pushtet po vazhdojnë t’i dërgojnë militantët e tyre në këta sektorë.
“Edhe çështja e bordeve ka qenë e theksuar në raportet e mëhershme, sikurse edhe çështja e administratës publike. Madje ka pasur kërkesa shumë të drejtpërdrejta nga Bashkimi Evropian që bordet të jenë profesionale dhe të mos politizohen. Por dihet se kemi vendnumërim, në borde emërohen njerëz të afërt të partive. Madje duket se nuk janë të interesuar as t’i dëgjojnë vërejtjet e Bashkimit Evropian”, ka shtuar Burjani.
Megjithatë, sipas Burjanit, as shkuarja në zgjedhje të parakohshme nuk garanton përmirësim të situatës në këto aspekte. Ai thotë se zgjedhjet nuk garantojnë ndryshim të fuqisë në skenën politike dhe se subjektet në opozitë nuk ofrojnë ndonjë alternativë më të mirë se ato në pushtet. “Edhe opozita që po kërkon zgjedhje mua më duket një kërkesë e cila nuk ofron ndonjë zgjidhje të duhur, pasi fillimisht nuk është e sigurt nëse do të ketë ndryshime rrënjësore sa i përket fuqisë politike, pastaj mund të vijnë njerëz në pushtet, të cilët kanë qenë edhe në të kaluarën dhe që nuk kanë treguar ndonjë rezultat”, ka përfunduar Burjani.