Raportet Kosovë - SHBA mbesin të njëjta

Aktuale November 10, 2016 - 08:23

Fitorja e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA nuk ndikon në prishjen e marrëdhënieve të mira ndërmjet shqiptarëve dhe Amerikës.

Madje fitorja e miliarderit Trump nuk paraqet kurrfarë rreziku për politikën e shteteve të tjera në botë. Kështu të paktën vlerësojnë analistët e çështjeve politike dhe ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare në Kosovë.

Sipas tyre, ardhja e kandidatit republikan Trump në krye të Presidencës nuk paraqet ndonjë impakt të veçantë për Kosovën, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pavarësisht këtyre, disa prej analistëve e cilësojnë si rrezik të madh fitoren e presidentit Donald Trump, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë Ballkanin e botën.

E për dallim prej tyre politikanët në Kosovë duke e uruar Trumpin thonë se raportet me SHBA-të do të jenë gjithmonë në nivel të kënaqshëm.

Njëjtë kanë vepruar edhe krerët shtetërorë në Shqipëri, të cilët i kanë uruar suksese republikanit Donald Trump.

Thaçi e Rama urojnë Trumpin

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka vlerësuar se miqësia mes Kosovës dhe SHBA-ve do të vazhdojë të jetë e njëjtë sikur deri më tash.

“Miqësia e përhershme ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë është bazamenti mbi të cilin do ta vazhdojmë thellimin e bashkëpunimit dypalësh”, ka thënë Thaçi, duke e uruar presidentin e ri të SHBA-ve.

LEXO EDHE: Amerika mbetet aleate e Kosovës

Nga ana tjetër, edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në prill të këtij viti e kishte konsideruar lajm të keq fitoren e mundshme të Trumpit, dje e ka uruar atë, me ç’rast ka potencuar se raportet Shqipëri - SHBA vetëm sa do të vinë duke u forcuar. 

“Duke ia uruar presidentit Trump fitoren dhe gjithë suksesin që amerikanët dhe miqtë e partnerët e SHBA-ve i urojnë atij vendi të madh, kam bindjen se marrëdhënia jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara do të vijojë të forcohet”, ka deklaruar ai.

Pozitë e opozitë: Kosova vazhdon të jetë mike e Amerikës

Ndërkohë, deputeti i PDK-së nga koalicioni qeverisës, Xhavit Haliti, ka thënë se fitorja e Donald Trumpit nuk rrezikon t’i prishë raportet mes Kosovës dhe SHBA-ve. “Unë besoj që marrëdhëniet SHBA – Kosovë nuk prishen kurrë për faktin se shqiptarët në përgjithësi, edhe jo vetëm në Kosovë apo Shqipëri, janë populli më pro-amerikan në Evropë”, ka potencuar Haliti për “Zërin”.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, ka vlerësuar se më mirë është të merremi me Kosovën sesa me atë se kush ka fituar apo jo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Më mirë është të merremi me oborrin tonë, të bëjmë ndryshime këtu, ta forcojmë, të punojmë e të shpresojmë që mundemi të ndërtojmë marrëdhënie strategjike me partnerët tanë, duke përfshirë këtu edhe SHBA-të, pa marrë parasysh partinë në pushtet”, ka deklaruar ai.  
E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova dhe Amerika do të vazhdojnë të jenë aleate edhe pas zgjedhjes së Trumpit president. “Kosova e vogël do të vazhdojë të jetë një aleate dhe një mike e Amerikës së Madhe”, ka deklaruar ai.

Kurse kreu i “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj, ka vlerësuar se SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin shtetin e Kosovës. “SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin dhe të jenë partnerë strategjikë të Kosovës ashtu siç kanë qenë gjithmonë”, është shprehur Limaj.

Ëndrra amerikane, Donald Trump

Nga ana tjetër politologu, Ramush Tahiri, ka vlerësuar se politika e SHBA-ve është e qëndrueshme. “Politika e SHBA-ve është e qëndrueshme dhe është një mekanizëm i tërë faktorësh që e ndërtojnë strategjinë amerikane”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, Kosova nuk e humb përkrahjen me zgjedhjen e Donald Trumpit si president i SHBA-ve. “As Kosova e as Shqipëria nuk e humbin interesin e fokusin e SHBA-ve. Ne jemi mirë nëse ndërtojmë platformë të qartë për të ardhmen”, ka shtuar ai.

Ashtu si ai ka potencuar, presidenti i SHBA-ve është zgjedhje e popullit amerikan dhe shprehje e demokracisë.

Tahiri më tutje ka thënë se modeli i realizimit të ëndrrës amerikane është republikani Donald Trump. “Duket se po ta shohim drejt, modeli i realizimit të ëndrrës amerikane është Donald Trump e jo Hillary Clinton”, është shprehur ai.

Ndërsa analisti politik, Krenar Shala, ka vlerësuar se janë dy arsye se pse presidenti i ardhshëm i SHBA-ve Donald Trump dihej qysh më parë, para se do ta fitonte garën. E para, sipas tij, ka të bëjë me atë që SHBA e bën të pamundur qëndrimin në krye të një partie për më shumë se dy mandate.

“Së pari sepse tradita demokratike në SHBA është e atillë që e bën gati të pamundur një parti të mundë të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë për më shumë se dy mandate”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq arsyeja e dytë, sipas Shalës, ka të bëjë me atë se bota perëndimore është duke u ballafaquar me një “popullizëm pompoz”, i cili identifikohet me Trumpin.

Shala më tej ka thënë se nuk do të ketë ndryshime të thella në politikën e jashtme të SHBA-ve. “Sa i përket Kosovës, nuk mendoj që do të ketë ndryshime radikale të politikës së jashtme amerikane sepse koniunktura e interesave në SHBA është e atillë që e bën gati të pamundur një kthesë të madhe në politikën e jashtme”, ka shtuar ai.

Maliqi: Fitorja e Trumpit - rrezik jo vetëm për Kosovën, por për gjithë botën

Pavarësisht tij, Agon Maliqi, hulumtues dhe këshilltar i politikave publike, ka vlerësuar se fitorja e Trumpit paraqet rrezik jo vetëm për Kosovën, por për gjithë botën.

“Si do të mund të hynim në lëkurën e njerëzve që nuk janë të vetëdijshëm se çfarë katastrofe ka ndodhur dje për Amerikën, botën e edhe për neve? Duke fjetur rehat me idenë se ka fituar një racist, seksist, mashtrues kolosal financiar, simpatizues i Putinit”, ka deklaruar ai. Sipas tij, Trump ka thënë shumë gjëra të cilat shprehin haptas ofendim ndaj të tjerëve.

“Brenda vitit të fundit Trump ka thënë aq shumë gjëra ofenduese ndaj meksikanëve, myslimanëve, zezakëve, grave, komunitetit LGBTI, heronjve të luftës, etj., dhe u ka fryrë aq shumë ndasive kulturore brenda SHBA-ve për të tërhequr vëmendjen e për të fituar mbështetjen e të frustruarëve në mesin e votuesve republikanë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndryshe nga Maliqi, eksperti i çështjeve ndërkombëtare Emrush Ujkani, ka vlerësuar se ndryshimi që Trump ka bërë gjatë fushatës së tij do të ketë rezultate pozitive.

“Ju e keni vërejtur këtë, domethënë sa më shumë që i jemi ofruar ditës së zgjedhjeve zbutja ka qenë në fjalorin e tij dhe kjo është një sinjal që besoj se do ta ketë efektin e vet në politikën e tij, qoftë të brendshme, qoftë të jashtme”, ka theksuar ai.

Ndërkohë ka thënë se ardhja e Trumpit në krye të SHBA-ve nuk do të ketë ndikim të veçantë për Kosovën. Më tutje ai ka thënë se ka pasur shumë shqiptarë që e kanë mbështetur Hillary Clintonin për presidente, por ka pasur edhe të atillë që e kanë favorizuar fituesin tashmë, Donald Trump.
Përndryshe, Trump fitoi me 274 vota elektorale, përderisa Clinton mbeti në kuotën 218. Trump do ta marrë postin e të parit të shtetit më të fortë në glob zyrtarisht më 20 janar, kur edhe do të inaugurohet si president i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.