Amerika mbetet aleate e Kosovës

Aktuale November 10, 2016 - 07:44

Vlora Çitaku, ambasadore e Kosovës në SHBA, thotë se edhe gjatë mandatit të presidentit të ri Donald Trump, Kosova do të mundë të llogarisë në përkrahjen e Amerikës. Sipas saj, politika e jashtme amerikane nuk ka ndryshuar edhe kur presidenti ka qenë nga radhët e republikanëve apo demokratëve

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Vlora Çitaku, shprehet e bindur se Kosova do të mundë të llogarisë në përkrahjen politike të SHBA-ve edhe gjatë mandatit të presidentit të ri, Donald Trump.

Sipas saj, Amerika ka dhënë kontribut të madh për vendin në vazhdimësi, pavarësisht se kush ka qenë në krye të Shtëpisë e Bardhë, presidenti nga radhët e republikanëve apo demoktratëve.

Këto komente Çitaku i ka bërë gjatë një interviste të shkurtër dhënë gazetës “Zëri”, pas zgjedhjes së republikanit Trump, president i ri i SHBA-ve.

Zëri: Znj. Çitaku, ju përfaqësoni Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çfarë rëndësie kanë këto zgjedhje për shtetin më të ri në Evropë?

Çitaku: Zgjedhjet presidenciale në SHBA kanë ndikimet e tyre jo vetëm në zhvillimet politike në Kosovë, por edhe në një sfond më të gjerë gjeopolitik. SHBA-të janë themeltare të Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s e cila ka ndëhyrë ushtarakisht në vitin 1999 në Kosovë, luan ende rol vendimtar në politikat e zgjerimit, jo vetëm të Aleancës, por është edhe parnter me Bashkimin Evropian. Në një kohë kur subjektiviteti ynë ndërkombëtar vazhdon të jetë i kontestuar, fakti që Kosova ka mundur vazhdimisht të llogarisë deri më tani në ndihmën e SHBA-ve, pavarësisht kush ka qenë në Shtëpinë e Bardhë, president demokrat, apo republikan, është shumë domethënëse dhe ne shpresojmë se kjo frymë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Politika e jashtme amerikane nuk ndryshon

 Zëri: Republikani Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA, ndonëse të gjitha sondazhet e nxirrnin fituese Hillary Clinton-in. Për shkak të qëndrimeve të njohura të z. Trump, lidhjeve të tij me Rusinë, a mendoni se do të ndryshojë edhe politika e jashtme e Amerikës?

 Çitaku: Ndonëse në SHBA presidenti zgjidhet me vota të drejtëpërdrejta dhe është autoriteti ekzekutiv, pushteti ka shumë nivele dhe këtu funksionojnë “checks and balances”, përkatësisht fuqia politike nuk është e koncentruar në duart e individëve. Kongresi, Senati, institucionet tjera gjithmonë kanë inputin e tyre në formësimin e politikave. Nëse përcillet me kujdes politika e jashtme amerikane qysh prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, objektivat gjithmonë mbesin të njëjta, ajo çfarë ka ndryshuar, varësisht nga administrata apo presidenti mund të kenë qenë instrumentet që janë vënë në shfrytëzim për realizimin e atyre politikave.

 Shqiptarët, përkrahës të dy kampeve kryesore politike

 Zëri: Më herët keni punuar në Konsulatën e Kosovës në New York, tashmë ambasadore në Washington. Nga përvoja juaj, si janë të rreshtuar politikisht shqiptarët në SHBA?

 Çitaku: Kam pasur kontakte të shpeshta me komunitetin shqiptar në SHBA. Jemi shumë fatlumë që kemi një komunitet jashtëzakonisht aktiv, të cilët kanë dhënë shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ata kanë qenë ambasadorët e parë, jo vetëm të Kosovës, por edhe të Shqipërisë, kur kjo e fundit ka qenë e izoluar. Kanë qenë vendimtarë për hapjen e dyerve për Kosovën, qoftë në Kongres, qoftë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shtëpi të Bardhë, etj. Ajo që gjithashtu më ka bërë përshtypje jashtëzakonisht shumë është që shqiptarët në SHBA kontribuojnë për të dy kampet kryesore politike. Ata vetëm duan të sigurohen se shqiptarët që jetojnë në Ballkan, pavarësisht se kush udhëheq me administratën, do të kenë një derë të hapur. Kam takuar shumë mbështetës të znj. Cliton, sigurisht kjo për shkak të rolit të familjes së saj në lirinë e Kosovës, por sigurisht jam takuar edhe me shumë mbështetës shqiptarë të z. Trump.

 Zëri: Gjatë përvojës suaj si diplomate e Kosovës në SHBA, cili ka qenë bashkëpunimi me administratën e presidentit Obama?

 Çitaku: Ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer. Kemi punuar jashtëzakonisht shumë në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Nuk është sekret të thuhet se SHBA-të janë mbështetësi më i madh që ka Kosova dhe janë avokati më i fuqishëm në të gjitha forumet ku ne ende nuk marrim pjesë. Megjithatë, ne këtë përkushtim amerikan nuk duhet ta marrim të mirëqenë. Amerika nuk mund t’i kryejë punët tona.

 Zëri: Cilat do të jenë prioritetet e Republikës së Jashtme të Kosovës gjatë mandatit të presidentit të ri?

 Çitaku: Prioritet do të jetë partneriteti për paqe, përkatësisht nisja e procedurës për anëtarësimin e Kosovës në familjen euro-atlantike, NATO. Jemi vendi i vetëm në Ballkan, përjashto Serbinë e cila nuk ka vullnet politik për anëtarësim, që nuk ka mardhënie kontraktuale me aleancën veriatlantike. Për të ndodhur kjo, ne duhet të përmbyllim edhe transformimin e FSK-së në FAK. Ju e dini që rishikimi i sektorit të sigurisë në Kosovë ka përfunduar shumë vite më herët dhe për shkak të konstalacionit politik në Kuvend, ndryshimet kushtetuese deri më tani kanë qenë të pamundura. Të bashkëpunojmë me SHBA-të për ta gjetur një modalitet për përfshirjen e Kosovës në partneritet për paqe. Brenda NATO-s janë katër shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, mirëpo po ato shtete janë edhe anëtare të BE-së. Derisa me BE-ë kemi gjetur një modalitet për të nënshkruar MSA-në, jam e bindur se edhe me NATO-n mund të gjindet një modalitet.

Prioritet tjetër është edhe sjellja e investimeve amerikane, të cilat për Kosovën janë shumë të rëndësishme.  

 Zëri: A do të jetë Kosova në fokus të administratës së presidentit të ri, apo fokusi është në shtetet tjera?

 Çitaku: Sigurisht që bota sot ballafaqohet me shumë prioritete. Rajoni i Ballkanit perëndimor, në veçanti Kosova nuk është vatër krize dhe sigurisht që shkalla e vëmendjes dhe angazhimit nuk është e njejtë. Por, Kosova dhe rajoni ende nuk është një proces i përfunduar dhe besoj që është në interesin e SHBA-ve dhe BE-së që këto procese të papërfunduara në Ballkan të përfundohen dhe vulosen përfundimisht. Mënyra e vetme se si ne si Kosovë mund të imponohemi fuqishëm te administrata e presidentit të ri është përmes prodhimit të lajmeve pozitive, nëse do të arrijmë të prodhojmë argumente për administratën amerikane, ne mund të imponohemi shumë më mirë dhe shumë më fuqishëm.