Lirohet Thaçi, frika mbetet
Pas një muaji në paraburgim autoritetet serbe e kanë liruar të martën nënkolonelin e Policisë së Kosovës dhe komandantin e Rajonit të Mitrovicës Nehat Thaçin.
Ai ishte arrestuar më 29 shtator, nën akuzat për “Terrorizëm”, të ngritur shumë vite më parë nga “drejtësia” serbe. I pari lajmin e ka konfirmuar ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
Ai në një prononcim për gazetën “Zëri” ka konfirmuar lirimin e tij duke thënë se Thaçi shumë shpejt do të kthehet në Kosovë.
“Sapo më është konfirmuar zyrtarisht lirimi i nënkolonel Thaçit. Ai shumë shpejt do t’i bashkohet familjes në Kosovë”, ka thënë Hoxhaj.
Nënkoloneli i Policisë kosovare shumë shpejt pritet t’u dorëzohet autoriteteve vendore pranë zyrës ndërlidhëse në Beograd e më pas të niset për në Kosovë.
Lirimin e Nehat Thaçit analistët e shohin si lajm të mirë, por që diplomacia kosovare mbetet të punojë më shumë rreth rasteve të tjera. Ata gjithashtu konsiderojnë se marrëdhëniet Kosovë - Serbi janë ende të tensionuara pasi që ka edhe arrestime të tjera.
Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka thënë se Kosova në muajt e fundit u karakterizua me probleme që u sollën nga Serbia ndaj arrestimeve të zyrtarëve policorë të Kosovës.
LEXO EDHE: Nehat Thaqi: Në Serbi nuk shkova për biznes (Video)
Islami thotë se këto arrestime janë totalisht politike. Ai më tej thotë se reciprociteti nga ana e Kosovës do të duhet të zbatohej nga pala kosovare.
“Muajt që i lamë pas po karakterizohen me marrëdhënie jostabile mes Serbisë dhe Kosovës qëkur janë nisur bisedimet me këtë shtet. Ai (Thaçi) u arrestua për hakmarrje politike. Lirimi i tij është një lajm i mirë, por që duhet ende punë për të bërë sepse nuk guxohet të ndodhin më arrestime të tilla. Kosova duhet të fillojë me një reciprocitet të njëjtë, pse jo”, thotë Islami.
Për çudi, sipas Islamit, lirimi i Thaçit vjen menjëherë pas vizitës së ministrit serb Marko Gjuriq në Kosovë.
“Këto janë arrestime politike edhe e cila kërkon favore të ndryshme për qëllime të tyre. Unë besoj se në rastin konkret se qytetarët nuk janë target i Serbisë, cak i këtyre arrestimeve janë vetëm ish-pjesëtarët e UÇK-së”, tha ai.
Ndërkaq analisti Blerim Burjani thotë se lirimi i Thaçit është dashur të ndodhë më herët dhe se, sipas tij, ka qenë e pakuptimtë të merret në burg në kohën kur barrikadat në veri po hiqen. Kjo sipas tij, ka sjellë edhe shtensionime të mëdha ndërmjet dy vendeve. Burjani pohon se Serbisë nuk i besohet dhe se raste të tilla të arrestimeve mund të ketë edhe në të ardhmen.
“Lirimi është dashur të ndodhë edhe më herët, por s’ka pasur kuptim që ai të merret nga policia serbe në kohën kur postblloqet në veri të Kosovës po hiqen. Pritet edhe lirimi i urës mbi Ibër, por edhe dialogu që po zhvillohet tërë kohën në Bruksel, por prapë konsideroj se nuk i besohet Serbisë e cila është dredharake, armiqësore dhe zigzaget e saj në politikën e jashtme”, thotë Burjani.
Në anën tjetër analisti Nexhmedin Spahiu dyshon se në lirimin e Nehat Thaçit është bërë pazar politik. “Unë nuk e di se çfarë pazari me Serbinë është bërë për lirimin e Nehat Thaçit”, ka qenë i shkurtër në përgjigje Spahiu.
LEXO EDHE: Momenti i lirimit të Nehat Thaqit nga qendra e paraburgimit në Beograd (Foto)