Anashkalimi i Kosovës, plan i Serbisë

Aktuale October 30, 2016 - 08:26

Serbia dëshiron që ta anashkalojë Kosovën në bashkëpunim rajonal, duke e zëvendësuar atë me Shqipërinë. Madje, kjo tendencë është vërejtur edhe gjatë nënshkrimit të Protokollit për Bashkëpunim në mes të Shqipërisë dhe Serbisë për autostradat dhe linjat hekurudhore

Serbia po mundohet që përmes bashkëpunimit me Shqipërinë ta injorojë Kosovën.

Madje, Serbia dhe Shqipëria pa e marrë pëlqimin e Qeverisë së Kosovës kanë nënshkruar Protokoll Bashkëpunimi për autostradat dhe linjat hekurudhore që nisen nga Serbia dhe të cilat kalojnë nëpërmjet territorit të Kosovës për të dalë në Shqipëri.

Njohësit e rrethanave politike në rajon thonë se Kosova nuk mund të anashkalohet nga shtetet fqinje për çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën.

Sipas tyre Shqipëria nuk duhet të bjerë në “grackën” e Serbisë për të injoruar Kosovën.

Faton Abdullahu, këshilltar i kryeministrit të vendit, ka thënë për “Zërin” se parimisht kreu i ekzekutivit, Isa Mustafa dhe Qeveria e Kosovës janë për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në Ballkan, duke mos e përjashtuar as Serbinë.

Madje, sipas tij, ky është një obligim i vendeve të rajonit karshi Bashkimit Evropian dhe Serbia nuk mund ta përmbushë këtë obligim duke e anashkaluar Kosovën dhe duke e kompensuar me Shqipërinë.

“Thjesht, të gjithë ne në rajon obligohemi për një qasje të tillë konstruktive edhe nga Brukseli zyrtar. Në anën tjetër, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë nuk nënkupton normalizim të marrëdhënieve të Serbisë edhe me Kosovën. Një gjë duhet të kuptohet drejt, se Serbia nuk mund t’i përmbushë obligimet e saja për normalizim të raporteve me shtetet fqinje, duke e anashkaluar Kosovën dhe kompensuar këtë me Shqipërinë”, ka deklaruar Abdullahu.

Madje, sipas tij, një “karrem” të tillë nuk e pranon as BE-ja dhe as Shqipëria.

“Ne besojmë se këtë “karrem politik” nuk e gëlltit as Bashkimi Evropian as Tirana zyrtare. Në anën tjetër, për sa kohë që Serbia refuzon normalizimin e raporteve me shtetin e Kosovës, ajo dëshmon se është kundër rrugëtimit të saj për në Bashkimin Evropian, për më shumë, normalitetin në rajon si kohezion politik e rrezikon në thelb, me çka bëhet destruktive për paqen dhe sigurinë në rajon”, ka shtuar Abdullahu.

Vetëvendosje: Nuk duhet të fajësohet Shqipëria për injorimin e Serbisë

Në anën tjetër koordinatorja e Qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje, Teutë Rrusta ka thënë se marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, apo qasja e kësaj të fundit ndaj Kosovës është e tillë sepse Serbia nuk e njeh Kosovën, madje, sipas Rrustës, vazhdon të këtë pretendime shoviniste, pavarësisht që Kosova ka treguar gatishmëri për koncesione të vazhdueshme, që për fat të keq kanë qenë shumë të dëmshme.

Sipas Rrutës nuk mund t’i vihet faji Shqipërisë pse Serbia po e injoron Kosovën.

“Këtu duhet të thënë që raportet aktuale mes shteteve apo gjendja e përgjithshme në Ballkan është e tensionuar dhe për aq sa është, fajin më të madh e ka Serbia. Jo vetëm në raport me Kosovën, por edhe me shtetet si Kroacia e Bosnja, me të cilat Vuçiqi i ka marrëdhëniet më së keqi që nga viti 1995 apo përfundimi i luftërave me to. Ky është tregues që Shqipëria do të duhej të fokusohej më shumë në bashkëpunimin me Kroacinë e Bosnjën, sepse bashkëpunimi me Serbinë i legjitimon veprimet e Serbisë në Ballkan dhe e nxjerrë atë mirë para BE-së”, ka deklaruar Rrusta.

Anëtarja e “Vetëvendosjes”, më tej ka thënë se Shqipëria duhet ta fuqizojë bashkëpunimin me shtetet tjera fqinje, ndërsa Kosova duhet ta ndërpresë dialogun me Serbinë.

Kosova nuk mund të anashkalohet

Ish-politikani dhe avokati, Azem Vllasi ka thënë se bashkëpunimi në mes të Shqipërisë dhe Serbisë është edhe në interes bilateral të këtyre dy shteteve, por edhe në interes të bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal.

Megjithatë, ai thotë se Shqipëria gjatë kontakteve me Serbinë duhet ta ketë në fjalorin e vet Kosovën si shtet.

“Shqipërisë i takon kurdo që ka biseda zyrtare me Serbinë të flasë për Kosovën, por jo në emër të Kosovës. Shqipërisë poashtu i takon që ta potencojë gjatë bisedave me autoritetet serbe që për stabilitet dhe bashkëpunim në rajon është me rëndësi edhe bashkëpunimi në mes shtetit të Serbisë dhe shtetit të Kosovës. Pra, Shqipëria ta ketë në fokus në fjalorin e vet politik në biseda me Serbinë, Kosovën si shtet dhe jo Prishtinën apo statusin neutral”, ka vlerësuar Vllasi, duke thënë se duhet të shmanget retorika serbe për Kosovën, por të flitet për Kosovën si shtet.

Më tej Vllasi ka thënë se Shqipëria dhe Serbia nuk mund ta anashkalojnë Kosovën në çështje që kanë të bëjnë me Kosovën.

“Dy shtetet, Shqipëria e Serbia në raportet bilaterale edhe lidhur me investimet apo projektet e ndryshme mund të bëjnë marrëveshje, por vetëm kur janë të interesit të të dyja shteteve. Megjithatë, nuk mund të anashkalohet Kosova, nuk mund bëhen marrëveshje bilaterale mes këtyre dy shtete nëse ajo marrëveshje e prekë në çfarëdo mënyre Kosovën, qoftë për rrugë, hekurudha apo investime të tjera. Çështjet e tilla duhet të jenë biseda tripalëshe dhe jo të lihet hapësirë se gjoja Kosovën e përfaqëson Shqipëria apo Serbia”, ka shtuar Vllasi duke thënë se Shqipëria nuk duhet ta lejojë këtë grackë.

Edhe profesori universitar, Blerim Burjani ka thënë se Kosova nuk mund të anashkalohet në çështje që kanë të bëjnë me të. Sipas tij, Serbia dhe Shqipëria nuk mund të bëjnë marrëveshje për investime të caktuara, ta zëmë në infrastrukturë, nëse preket edhe Kosova, pasi pasi Burjanit, në raste të tilla duhet edhe pajtimi i palës kosovare. Ai ka thënë se duhet të respektohet sovraniteti i Republikës së Kosovës.

“Marrëveshjet për investime në infrastrukturë, apo marrëveshjet tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik kanë bashkëpunim në mes të shteteve që synojnë anëtarsimin në Bashkimin Evropian, por këto zhvillohen pa anashkaluar asnjë shtet, pra as Kosova nuk mund të anashkalohet...”, ka theksuar Burjani.