Shqipëria dhe Serbia 'zhbëjnë' Kosovën! (Dokument)

Aktuale October 19, 2016 - 07:52

Për autostradat dhe linjat hekurudhore që nisen nga Serbia dhe të cilat kalojnë nëpërmjet territorit të Kosovës për të dalë në Shqipëri zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë, Brunilda Paskali, dhe sekretari i shtetit në Ministrinë e Tregtisë së Serbisë, Stevan Nikçeviq, kanë nënshkruar protokoll bashkëpunimi pa e marrë pëlqimin e Qeverisë, që udhëhiqet nga kryeministri i vendit, Isa Mustafa.
Ky veprim i palës shqiptare lë të kuptohet, të paktën nga pala serbe, si njohje e sovranitetit serb mbi Republikën e Kosovës.

Sipas dokumenteve zyrtare, që ka arritur t’i sigurojë gazeta “Zëri”, dy përfaqësuesit e qeverive, ajo e Shqipërisë dhe e Serbisë, Paskali dhe Nikçeviq, më 15-16 prill 2015, kishin negociuar Protokollin e Sesionit të Parë të Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Serbisë, me ç’rast ishin dakorduar që të paraqesin projekte të veçanta të cilat do të prezantohen pranë institucioneve të Bashkimit Evropian, me qëllim mundësimin e financimit të tyre nga fondet e kësaj të fundit. Pak muaj pasi ka nënshkruar protokollin si kryesuese e delegacionit shqiptar, Paskali ka marrë detyrë të re, atë të zëvendëskryetares së Bashkisë së Tiranës.

Autostradat dhe linjat hekurudhore që kalojnë nëpër Kosovë

Sipas këtyre dokumenteve, të cilat i posedon gazeta, përkatësisht në Nenin 3.3 të Protokollit, ku flitet për transportin dhe infrastrukturën, dy palët ishin pajtuar për të rritur bashkëpunimin në fushën e krijimit të projekteve rajonale të transportit rrugor dhe hekurudhor si janë: “Rruga 7” Nish-Prishtinë-Durrës-Beograd dhe Beograd-Bar-Tiranë dhe në linjat e transportit hekurudhor Nish-Doljevac, Rudarë-Prishtinë-Prizren-Morinë-Milot dhe Beograd-Lapovo, Kraljevë, Rudnicë-Prishtinë-Prizren-Morinë-Milot.

Por ky protokoll, sipas burimeve të mirinformuara të “Zërit”, karakterizohet me shkelje të rënda të të dy palëve, pasi bie ndesh me frymën e Procesit të Berlinit për Bashkëpunimin dhe Integrimin e Rajonit dhe po ashtu për projektet e dakorduara që kalojnë nëpër territorin e shtetit të Kosovës nuk është përfshirë edhe pala e fundit.

“Projektet që përfshijnë tri shtete nuk mund të nënshkruhen vetëm nga dy palë, sepse një gjë e tillë nënkuptohet, të paktën nga pala serbe, si njohje e sovranitetit serb mbi Republikën e Kosovës. Prandaj, derisa të qartësohet kjo çështje me palën kosovare, Shqipëria duhet të heqë dorë nga detyrimet e këtij protokolli për ndërtimin e autostradave Shqipëri-Serbi, pasi aty nuk përmendet fare marrja e pëlqimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës për projektet që kalojnë nëpër territorin e Kosovës”, ka thënë ky burim i “Zërit”.

Zharku: Askush s’mund të nënshkruajë për rrugët tona

Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku, ka deklaruar për “Zërin” se Shqipëria dhe Serbia nuk mund të nënshkruajnë marrëveshje për projekte të infrastrukturës që kalojnë nëpër territorin e Kosovës pa pëlqimin e kësaj të fundit. “Jo. Nuk mund të flitet në emër të Kosovës, absolutisht jo. Askush nuk mund të flasë për rrugët tona pa u përfshirë edhe ne”, ka thënë Zharku

Edhe ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, i cili njëherësh është deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, ka thënë për gazetën se çdo veprim që bëhet për punët që do të realizohen në Republikën e Kosovës duhet marrë aprovimin e institucioneve adekuate. “Po e them në parim se asnjë vendim, asnjë institucion, qoftë vendor apo ndërkombëtar, nuk ka kompetencë për të folur për territorin e dikujt tjetër”, ka thënë Beqaj.

Sipas tij, zyrtarët e Qeverisë së Shqipërisë duhet të kenë kujdes se Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga të gjithë fqinjët, përveç Serbisë, dhe siç thotë ai, kjo tregon që çdo zhvillim brenda territorit të Kosovës të bëhet në harmoni me institucionet vendore.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi, thotë se këto korridore kalojnë nëpër shumë shtete, prandaj, sipas tij, secili shtet duhet ta marrë obligimin e vet, përkatësisht Shqipëria ta ketë pjesën e saj, Kosova pjesën e saj, si dhe pjesën e vet shtetet e tjera.

“Pjesëmarrja e Kosovës është e domosdoshme kur flitet për Kosovën, sepse një pjesëmarrje e tillë nuk i pengon proceset, por vetëm se i ndihmon”, ka thënë Rexhepi. /Zeri/

ImageImageImage