Abrashi: Nëse vonohemi, mund ta humbasim liberalizimin e vizave

Aktuale October 25, 2016 - 23:48

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në Ballë për Ballë të Klan Kosovës, ka thënë se duhet që të kryet procesi i demarkimit të kufirit me Malin e Zi, pasi liberalizimi i vizave është direkt i lidhur me këtë cështje.

“Me këtë marrëveshje forcohet sovraniteti, sepse vendoset një kufi, gjë që nuk është punë e vogël. Po ashtu liberalizimi i vizave është lidhur me këtë cështje. Mund të mos jetë kriter i drejtë, por na është vënë nga Bashkimi Europian”.

Ai ka deklaruar se dështimi i arritjes së marrëveshjes mes partive politike për një deklaratë të përbashkët për përkushtimin europian të vendit nuk do të thotë që nuk do të ketë përpjekje të reja, pasi palët janë marrë vesh që diskutimet të vazhdojnë, njofton Klan Kosova.

“Është diskutuar, por ne mendojmë që duhet ende kohë, sepse mendojmë që disa fjalë mund të hapin beteja në të ardhmen. Ne do të ulemi edhe një herë që ta hartojmë një draft. U pajtuam që kjo të vazhdojë, në formë të grupeve teknike, edhe nëse liderët nuk janë vazhdimisht të pranishëm”.

“Në këtë takim është diskutuar se si të ecet përpara, ndërsa është përshëndetur edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtar. Qëllimi është që kjo punë të përfundohet sa më shpejtë, sepse është në të mirë të së ardhmes së vendit. Jemi në një momentum të mirë në Parlamentin Europian, pasi disponimi është që Kosovës t’i liberalizohen vizat. Nëse hyjmë vitin e ardhshëm pa këtë hap, askush nuk e di se si do të jetë e ardhmja”.

“Institucionet e kanë kryer punën e tyre. Qeverisë i është ofruar një raport, të cilin mund t’ia ofrojmë secilit që ta auditojë, në mënyrë që të mund të ecim përpara me proceset europiane”.

Abrashi ka folur edhe për vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që i jep të drejtë atij, lidhur me një udhëzim administrativ, që synon që të rregullojë cështje të caktuara në sistemin pensional të vendit, dhe kurrsesi nuk targeton komunitetin serb, njofton Klan Kosova.

“Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e ish ministrit Nenad Rashiq, në emër të Listës Serbe, që pretendojnë se një vendim i nxjerrë nga ministria targeton komunitetin serb. Por unë e kam bërë të qartë se ai lidhet krejtësisht me pensionet e qytetarëve të Kosovës. Ideja është që ta menaxhojmë sa më mirë sistemin pensional të vendit. Është mirë që është marrë ky vendim nga Kushtetuesja, sepse i hapet rrugë marrëveshjeve ndërshtetërore në fushën e pensioneve”.

“Po tentojmë që ta rregullojmë sistemin e pensioneve. Deri tani kemi hequr mbi 10 mijë persona nga listat e pensionistëve, pasi ata nuk janë qytetarë të republikës dhe vetëm në kohën e ndarjes së pensioneve. Sa i përket deklaratave që kanë qarkulluar lidhur me heqjen e pensionit bazik, unë i siguroj të gjithë pensionistët që kjo gjë është krejtësisht e pavërtetë”.

Zëdhënësi i qeverisë ka refuzuar të komentojë kur do të bëhet riformatizimi dhe cfarë forme do të ketë, përvec konfirmimit të informatës se kjo gjë pritet të ndodhë së shpejti.

“Nuk është biseduar në qeveri për ristrukturim, por këtë gjë e kanë bërë partnerët e koalicionit, brenda strukturave partiake”. /klankosova.tv