Politikanë e të akuzuar synojnë titullin e Akademikut

Aktuale October 24, 2016 - 07:54

Njerëz të politikës si Kujtim Shala e Justina Pula po synojnë të bëhen anëtarë të Akademisë së Shkencave. Pos tyre, në listë për akademikë ka edhe kandidatë që nuk i plotësojnë kriteret, por edhe të akuzuar në procese penale gjyqësore

Zyrtarë të lartë të politikës si ministri i Kulturës, Kujtim Shala dhe ish- ministrja e Energjisë, Justina Pula, si dhe ligjërues të shumtë të Universitetit të Prishtinës po synojnë që përmes konkursit të fundit të shpallur nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK), të marrin titullin më të lartë shkencor, atë të Akademikut. Kjo pak kohë pasi ASHAK-u ka bërë publik konkursin për titullin më të lartë në fushën e shkencës apo artit.

Gazeta “Zëri” ka arritur të konfirmojë përmes burimeve zyrtare në disa fakultete emrat e disa personave, të cilët kanë aplikuar për të fituar titullin - Akademik.  

Nga ajo që ka marrë vesh “Zëri”, në listën e gjatë nuk kanë hezituar të aplikojnë edhe persona me begraund të dyshimtë apo dhe të akuzuar për vepra penale.

Po ashtu, në lista të aplikantëve figurojnë edhe persona mbi 65 vjeç, që është në kundërshtim me konkursin e shpallur nga ana e ASHAK-ut.

Në Akademinë e Shkencave të Kosovës nuk e kanë komentuar nëse këta kandidatë që po synojnë të fitojnë titullin më të lartë shkencor janë të denjë për ta fituar atë. Sidomos për faktin se mes tyre ka madje madje edhe persona që akuzohen për vepra penale. Megjithatë, Akademia ka konfirmuar se do të ndodhë një filtrim.  

Lindita Juniku – Pula, sekretare e Akademisë ka thënë për "Zëri" se nga gjysma e nëntorit Akademia njofton opinionin se kur ekspozohen materialet në shikim të opinionit publik.

Përmes këtij procesi, Juniku-Pula, ka thënë se do të ndodhë edhe filtrimi dhe jo të gjithë aplikantët do ta fitojnë titullin. 

Kandidat për akademik edhe i akuzuari i rastit "Stentat"

Suzana Manxhuka - Kërliu, dekane e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës ka thënë se fakultetet nuk kanë pasur asgjë në “dorë” sa i përket vendosjes në lidhje me kandidatët.

Sipas saj, Fakulteti i Mjekësisë në këtë konkurs ka kryer vetëm punët teknike.

"Akademia e Shkencave e ka dërguar një qarkore që është konkurs i hapur. Kush ka dashur ka konkurruar. Edhe unë i kam thirr për t’i pyetur se a duhet të bëjmë ne një seleksionim. Na kanë thënë jo, por vetëm t'i formoni komisionet recensuese në mënyrë që t’i lehtësomi që me pas të dhënat të jenë transparente", ka thënë Manxhuka-Kërliu, sipas të cilës, vendimin e merr Akademia.

Sipas dekanes së Fakultetit të Mjekësisë nga shkencat mjekësore për të qenë anëtar të Akademisë kanë aplikuar: Gani Bajraktari, Myrvete Paçarada, Hasan Ahmeti, Hilmi Islami, Veton Hoxha, Mentor Sopiani dhe Jusuf Dedushaj. Numri një i kësaj liste Gani Bajraktari është pjesë e një procesi të ndërlikuar gjyqësor.

Ai është duke u akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e quajtur "Stentat".

Ai së bashku me 63 të akuzuar tjerë, iu ka drejtuar të premten Gjykatës në seancën e parë gjyqësore. I suspenduar pikërisht për këtë çështje nga pozita e drejtorit të Kardiologjisë, Bajraktari nuk e ka pasur problem të aplikojë për thirrjen më të lartë shkencore.

I pyetur nga gazeta "Zëri" nëse aktakuza ndaj tij dhe gjyqi që po zhvillohet në këtë fazë e dëmtojnë atë në procesin e zgjedhjes anëtar të akademisë ka rekomanduar që për çështjen t'i referohemi Kushtetutës.

"Ju lutem lexojeni Kushtetutën e Kosovës, neni 31, pika 5, i cili flet për prezumimin e pafajësisë", ka thënë Bajraktari. E dekanja e Fakultetit të Mjekësisë Manxhuka - Kërliu ka thënë se nuk i kanë penguar askujt për të konkurruar për anëtar të akademisë.

"Ata do t'i kenë parasysh kriteret. Ne vetëm punë teknike kryejmë", ka thënë Manxhuka - Kërliu.

Ministri Kujtim Shala synon titullin e Akademikut

Sipas dekanes, Akademia duhet t'i ketë parasysh detajet.

"Normalisht kush është në aktakuzë në kushte normale nuk do të duhej të paraqitet. Kush i ka bërë 65 vjet po ashtu...", ka thënë e para e Fakultetit të Mjekësisë në prononcimin e dhënë për "Zëri".

Ndërkohë, për anëtar të Akademisë, Këshilli i Fakultetit Ekonomik i ka propozuar pesë profesorë.

Informacioni është konfirmuar nga dekani i Fakultetit Ekonomik, But Dedaj. Ai ka thënë se për anëtar të Akademisë kanë nominuar: Justina Pulën, Sinan Demajn, Gazmend Lubotenin, Berim Ramosajn dhe Enver Kutllovcin.

Fakulteti i Edukimit e ka mbajtur javën e kaluar mbledhjen e këshillit. Sipas Milaim Mazrekut, sekretar i Fakultetit të Edukimit, Begzad Baliu, profesor i rregullt është i vetmi kandidat prej fakultetit që është nominuar për anëtar të Akademisë së Shkencave. "Kandidati është miratuar prej Këshillit të fakultetit tonë", ka thënë Baliu.

Garë interesante është edhe ajo në Fakultetin e Filologjisë. Sekretari Besfort Krasniqi, ka thënë për "Zëri" se mbështetur në qarkoren e ASHAK-ut, Këshilli i Fakultetit të Filologjisë ka shqyrtuar propozimet e Departamenteve Gjuhë Shqipe, Letërsi Shqipe dhe Gazetari.

Kështu, sipas Krasniqit për anëtarë të Akademisë nga Filologjiku janë emëruar kandidatët: Rrahman Paçarizi, Shkumbin Munishi, Bardh Rugova, Basri Çapriqi, Milazim Krasniqi dhe Kujtim Shala. Ky i fundit është ministër i Kulturës.  Ka edhe fakultete që kanë qëndruar indiferente sa i përket anëtarësimit në Akademi.

Askush në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arikitekturës nuk ka aplikuar për të marrë titullin e akademikut.

Abdullah Zejnullahu, dekan i këtij Fakulteti ka thënë se zyrtarisht askush prej Këshillit të Fakultetit nuk ka aplikuar.

"Ata kanë të drejtë edhe individualisht të aplikojnë. Nuk kam informatë për atë çështje", ka thënë dekani Zejnullahu.