Dosja e Radhës: Grabovci caktonte komisionet dhe përzgjidhte kandidatët (video)

Aktuale August 24, 2016 - 10:34

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, kishte autoritet për të caktuar komisionet për zgjedhjen e kandidatëve për borde, e poste tjera të larta. Komisioneve, pastaj ua jepte listën prej tre kandidatësh dhe u tregonte se kush duhej të ishte i pari, i dyti dhe i treti në listën e ngushtë. Këto veprime të Grabovcit, dëshmohen për përgjimet telefonike që Insajderi i sjell në pjesën e XVIII-të të Dosjes së Shefave.

Adem Grabovci, kishte caktuar një komision në përbërje të Ilhami Gashit, Fitim Krasniqit dhe një personi të quajtur Xhavit për zgjedhjen e e një drejtori të një agjencie shtetërore. Gashi ka qenë sekretar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndersa Fitim Krasniqi ka qenë dhe është sekretar i Qeverisë.

Grabovci, ia kishte caktuar paraprakisht renditjen tre kandidatëve për këtë pozitë. Donte që Adnani të renditej i treti në listën e ngushtë. Luta i dyti dhe në vendin e parë donte që të rangohej gjinia e bukur.

Nuk dihet nëse e kishte fjalën për Arbenita Pajazitin, një zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë me precedent penal.

Pajazitin, Grabovci kishte provuar ta sillte në krye të Agjencisë për Produkte Medicionale. Por, pas intervistimit, Arbenita Pajaziti ishte renditur e dyta, ndërsa Ilir Dushi, që nuk figuronte fare në listën e Grabovcit, ishte ranguar i pari.

Për këtë rezultat, Adem Grabovci ishte bërë shumë nervoz. Kjo dëshmohet me serinë e VI-të të Dosjes së Shefave.

Në serinë e XVIII-të, Insajderi sjell katër biseda telefonike të Adem Grabovcit, të përgjuara në vitin 2011. Secila prej tyre dëshmon planet e Grabovcit, për të futur nën kontroll institucione shtetërore me anë të emërimit të njerëzve që do të punonin për interesa të tij dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, që drejtohej nga Hashim Thaçi.

Përgjimet tregojnë se njerëzit i kërkonin ndihmë Grabovcit për të gjetur një vend pune. Por, disa prej tyre i kishte mashtruar se do t’u ndihmonte siç ishte rasti me kandidatin për polic, Gani Nikqi, e disave ua kishte bërë bajat, duke u tallur me ta.