Majlinda Kelmendi dridh mediet ndërkombëtare

Aktuale August 09, 2016 - 08:17

“Majlinda Kelmendi bëri histori në Rio de Janiero”. Kështu ishin shumë kryetituj të medieve më të mëdha botërore. “Medalja e artë e para për Kosovën”, u shndërrua gati në slogan të secilit postim nëpër rrjete sociale. Rreth 3 miliardë shikues u njoftuan me flamurin e shtetit më të ri të Evropës. Mediumet më të njohura botërore i kanë dhënë vlerë historike arritjes së saj, duke theksuar edhe pjesëmarrjen e parë si dhe flamurin nën të cilin ka garuar. “Ajo ishte vajza e artë e xhudos”, me këto fjalë gjigandi amerikanë CNN e fillon lajmin për fitoren e xhudistes kosovare. “Majlinda Kelmendi ka bërë historinë në Rio de Zhanjero të dielën, duke u bërë sportistja e parë nga Kosova që fiton medalje olimpike”, shkruan CNN-ja. Po ashtu ky medium i ka kushtuar vëmendje faktit që sportistët kosovarë kanë garuar për herë të parë nën flamurin e tyre. “Kjo është hera e parë në Olimpiadë që sportistët mund të garojnë nën flamurin e Kosovës, e cila ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008”.

Me të njëjtat superlativa ka shkruar edhe BBC-ja për fitoren e xhudistes nga Kosova. “Kur Majlinda Kelmendi ra në gjunjë e lotuar në Olimpiadë të dielën, kjo ishte më shumë sesa një e arritur e një medalisti... Ai ishte një moment përcaktues për Kosovën e 1.8 milion banorëve”. Mediumi britanik shton pos tjerash se kjo është medalja e parë pas pavarësisë së vendit. “Tetë vjet pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Serbia, Kosova ka medaljen e parë olimpike dhe flamuri i saj ka valuar në shkallën më të lartë të sportit”. Në fund BBC-ja duke cituar edhe fjalët e Majlindës, përfundon “Qartë emocionuese, Kelmendi 25-vjeçare ka thënë se pavarësisht se shteti i saj është i vogël dhe i varfër, ajo ka treguar se ai është i fortë”.

“Kelmendi ka luftuar për vite për ta përfaqësuar vendin e vet, që shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, në artet marciale japoneze”. Është ky njëri nga përshkrimet që i bën “ABS News” fitores së Majlinda Kelmendit, që citon fjalët e kësaj të fundit teksa kishte thënë se “s’ka miliona në botë që mund të më bëjnë të ndihem siç ndihem sot”. Agjencia e lajmeve “Reuters”  gjithashtu e ka cilësuar ngjarjen historike, meqenëse, sipas këtij burimi, është hera e parë që bëhet nën flamurin e Kosovës. Sipas “Reuters”-it, “shumë garues nga vendi i vogël i Ballkanit, i cili u pranua si anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në vitin 2014, kanë garuar më parë nën flamujt e vendeve tjera, duke përfshirë edhe Kelmendin”.

E njëjta jehonë i jepet edhe nga “SkySport”, i cili shkruan “Majlinda Kelmendi e Kosovës feston fitoren e artë”, duke shoqëruar me një fotografi nga dueli i së dielës. Edhe kjo medie i kushton shumë rendësi kësaj gare për faktin se garojnë nën flamurin e Kosovës. Ngjashëm bën edhe “Dojqe Vele” DW, por me një përshkrim edhe më interesant të ngjarjes. “Kosova fitoi pavarësinë nga Serbia në 2008 dhe u njoh plotësisht nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Kelmendi më parë ka garuar për Shqipërinë në Olimpiadë, por ajo tani është medaliste e Kosovës”, shkruan “Dojqe Vele”.

Në intervistën e saj të dhënë medieve ndërkombëtare, Majlinda Kelmendi është shprehur se: “Jam shumë e lumtur. Të jem e sinqertë, këtu kam ardhur për medaljen e artë, por ishte çmenduri. Jam shumë e lumtur për vete, për trajnerin, për gjithë vendin tim. Kjo është hera e parë që Kosova është pjesë e Lojërave Olimpike dhe për herë të parë e arta mendoj se është e madhe... Kjo nënkupton shumë. Njerëzit, veçanërisht fëmijët e Kosovës, më shohin mua si hero. Thjesht, kam dëshmuar për ta se edhe pasi kemi mbijetuar në luftë, nëse duan diçka ata mund ta kenë. Nëse ata duan të bëhen kampionë në Olimpiadë, mund ta bëjnë, pavarësisht nëse vijmë nga një shteti i vogël dhe i varfër”. Raporton CNN-ja.