KQZ: Votimi nisi me kohë dhe pa probleme në të gjitha komunat
Foto: Laura Hasani

KQZ: Votimi nisi me kohë dhe pa probleme në të gjitha komunat

Zgjedhjet Lokale 2025 November 09, 2025 - 08:12

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka mbajtur konferencën e parë rreth hapjes së vendvotimeve për raundin e balotazhit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se të gjitha vendvotimet janë hapur në orën 07:00 dhe procesi po zhvillohet normalisht.

“Ju njoftojmë se në orët e hershme të ditës së sotme, materialet janë shpërndarë në kohë në të gjitha vendvotimet”, tha ai.

“Procesi i votimit në 18 komuna për kryetarë ka nisur me kohë. Sot procesi i votimit zhvillohet në 507 qendra, me gjithsej 1628 vendvotime, të cilat janë të hapura dhe 18 qendra të tjera, nga një për çdo komunë, për të mundësuar votimit me kusht”, tregoi Elezi.

“Numri i votuesve në 1.316672 votues, që janë të shpërndarë në këto 18 komuna. Në këto vendvotime, janë të përfshirë edhe personat që nuk i kishin mbushur 18 vjeç”, tha Elezi.

“61 ekipe mobile lëvizëse do të jenë në terren për t’u mundësuar votimin e personave me nevoja të veçanta”, shtoi Elezi.

Konferenca e dytë do të zhvillohet në ora 11:30, ku do të flitet për pjesëmarrjen deri në ora 11:00.

Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot në Republikën e Kosovës është 1,316,672 të cilët janë të shpërndarë në 18 komuna.

Përveç organizimit të votimit në vendvotime të rregullta, KQZ do të organizojë votimin edhe përmes ekipeve mobile/lëvizëse për 2,541 votuesit me nevoja të veçanta, të cilët janë regjistruar dhe evidentuar paraprakisht.