Reagon Gecaj: Marrëveshja mes AAK-së dhe LVV-së në Junik është “koalicion i luftës hibride”
Foto: Facebook

Reagon Gecaj: Marrëveshja mes AAK-së dhe LVV-së në Junik është “koalicion i luftës hibride”

Zgjedhjet Lokale 2025 October 29, 2025 - 10:50

Bajram Gecaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas marrëveshjes së arritur ndërmjet kandidatit të AAK-së për kryetar të Junikut Agron Kuçi dhe kandidatit të Vetëvendosjes, Jetmir Tofaj.

Ai e ka quajtur “koalicion të luftës” hibride marrëveshjen mes AAK-së dhe LVV-së për t’u bërë bashkë në garën për balotazhin në Junik.

Gecaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka përmendur se si të dielën kreu i AAK-së Ramush Haradinaj e ka quajtur kreun e LVV-së “produkt të luftës hibride”, raporton Zeri.info.

Sipas tij, marrëveshja e Junikut dhe, siç ka paralajmëruar së shpejti edhe ajo e Pejës — tregojnë qartë se për AAK-në nuk është problem të bashkëpunojë me “produktet e luftës hibride të armiqve tanë”.

Postimi i plotë:

Koalicioni i LUFTËS HIBRIDE …

Çfarë po i mungon kësaj fotografie? Albini në të majtë, Ramushi në të djathtë — secili me nga një gaz lotsjellës në dorë dhe me grushtin komunist afër kokës. Një skenë që do ta simbolizonte më së miri “bashkimin e luftës hibride.”
Të dielën, Ramush Haradinaj e quajti Albin Kurtin “produkt të luftës hibride të armiqve tanë.” Vetëm një ditë më pas, ashtu si gjatë qeverisë Mustafa, u bashkuan sërish — për interesa të ngushta personale e grupore. Kjo është jo vetëm jologjike, por edhe hipokrizi e kulluar: si mund të quash dikë “produkt të armiqve” dhe në të njëjtën frymë të nënshkruash marrëveshje politike me të?

Kurti i kishte ofruar bashkëpunim në nivelin qendrorë vetëm LDK-së dhe NISMA-s. LDK-ja refuzoi — për arsye parimore dhe politike — sepse nuk bashkëpunon me ata që shpallen “tradhëtarë” nga vetë Ramushi. Nisma e provoi dhe doli e lagur nga përvoja. Por a do ta refuzonin PDK-ja apo AAK-ja një ofertë të tillë? Marrëveshja e Junikut — dhe duket se së shpejti edhe ajo e Pejës — tregojnë qartë se për AAK-në nuk është problem të bashkëpunojë me “produktet e luftës hibride të armiqve tanë”.

Por junikasit e dinë më mirë.
Ata kanë parime, kujtesë dhe dinjitet.

E dinë kush ka punuar për Junikun, e kush ka qenë aty në çdo fazë të zhvillimit të tij.
E dinë se kush e udhëheqë Junikun me interesin e pastër qytetar — dhe kush për interesa të importuara nga Deçani e selitë e “brigadave të kuqe.”
Në fletëvotim mund të ketë dy emra, por në të vërtetë është vetëm një që përfaqëson Junikun, dinjitetin dhe zhvillimin e tij: Ruzhdi Shehu.
Më 9 Nëntor:

VOTO Lidhja Demokratike e Kosovës 113
VOTO Ruzhdi Shehun për Kryetar të Junikut