Vazhdon numërimi i fletëvotimeve me kusht dhe për personat me nevoja të veçanta
Foto: Laura Hasani

Vazhdon numërimi i fletëvotimeve me kusht dhe për personat me nevoja të veçanta

Zgjedhjet Lokale 2025 October 21, 2025 - 16:54

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se gjatë pjesës së parë të ditës së martë është përmbyllur rinumërimi i fletëvotimeve të 5 vendvotimeve, sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir tha se vendvotimet e rinumëruara i përkisnin komunave: Mitrovicë e Jugut , Kamenicë dhe Podujevë.

Ai po ashtu tha se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht, ndërsa pas përfundimit të tyre do të nisë numërimi i fletëvotimeve të personave me nevoja të veçanta.

“Votimi me kusht është zhvilluar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta është realizuar jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve.”, shtoi Elezi.

Pjesëmarrësit e votimit me kusht përfshijnë më shumë se 2,119 zarfe me fletëvotime, ndërsa numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta është 3,467.

Gjithashtu, në QNR është duke u zhvilluar procesi i skanimit të Listës së Votuesve, një hap kyç për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.

“Ky proces mundëson krahasimin e pjesëmarrësve në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht dhe ndihmon në identifikimin e rasteve kur një person ka votuar më shumë se një herë.”, shtoi ai.