
Në QNR po rinumërohen pesë vendvotime me urdhër të PZAP-it
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të hënën rreth mesnatës është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, ndërsa ka filluar puna për rinumërimin e pesë vendvotimeve, për të cilat ka urdhëruar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, i cili thotë se vendvotimet të cilat do t’i nënshtrohen rinumërimit sipas urdhrit të KQZ-së janë dy nga Mitrovica e Jugut, dy nga Kamenica e një nga Podujeva.
Elezi tutje ka bërë të ditur se gjithashtu gjatë ditës së sotme në QNR do të nisë numërimi i votave me kusht dhe votave të dhëna nga personat me nevoja të veçanta në zgjedhjet e 12 tetorit.
“Në vazhdim të aktiviteteve të planifikuara, gjatë ditës së sotme në QNR do të fillohet me numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe atyre nga votimi i personave me nevoja të veçanta. Votimi me kusht është realizuar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve”, tregoi ai.
Tutje, thotë se fillimisht, planifikohet që të bëhet numërimi i fletëvotimeve me kusht nga komunat Deçan, Istog, Kaçanik, Fushë Kosovë, Kamenicë, Shtërpcë, Mamushë, Han i Elezit, Ranillug dhe Mitrovicë e Veriut, në të cilat tashmë është përmbyllur skanimi i listave të votuesve.
“Në votimin me kusht janë më shumë se 2.119 zarfe me fletëvotime që i takojnë dy lloje të zgjedhjeve, ndërkaq numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta është më shumë se 3.467”, tha ai.
Elezi ka bërë të ditur se në QNR është duke u zhvilluar procesi i skanimit të Listës së Votuesve, hap ky thelbësor për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor. “Pasi skanimi mundëson krahasimin e pjesëmarrësve në votim në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht. Qëllimi është të identifikohen rastet eventuale kur një person ka votuar dy here: në vendvotimin e rregullt dhe në atë me kusht”, sqaroi Elezi.