
Vazhdon numërimi i votave nga jashtë Kosovës – KQZ-ja: Deri tani janë numëruar mbi 50% e fletëvotimeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i numërimit të votave të ardhura me postë nga jashtë Kosovës, për zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor 2025.
Sipas KQZ-së, numërimi përfshin fletëvotimet për zgjedhjet e kryetarëve të komunave dhe për Kuvendet Komunale.
“Nga pasditja e së premtes deri të dielën në orën 16:00, janë numëruar 80 kuti që përmbajnë pakot me fletëvotime të supozuara nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe 67 kuti të tjera nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale,” ka njoftuar KQZ-ja.
Institucioni ka bërë të ditur se deri më tani janë numëruar mbi 50 për qind e këtyre fletëvotimeve.
Rezultatet nga ky proces po publikohen në platformën zyrtare të KQZ-së: resultslocal2025.kqz-ks.org.
Sipas njoftimit, qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës kanë votuar përmes postës nga data 17 shtator deri më 11 tetor.
Nga gjithsej 33.841 pako të pranuara, pas verifikimit janë aprovuar 29.636. Procesi i numërimit të këtyre votave ka nisur më 17 tetor.
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit votuan 39.58 për qind e mbi dy milionë qytetarëve me të drejtë vote.
Sipas rezultateve preliminare, 21 komuna kanë zgjedhur kryetarët në rundin e parë, ndërsa në 17 të tjera do të zhvillohet balotazhi më 9 nëntor 2025.