KQZ-ja përmbyll numërimin në të gjitha Qendrat Komunale në Kosovë
Foto: Laura Hasani

KQZ-ja përmbyll numërimin në të gjitha Qendrat Komunale në Kosovë

Zgjedhjet Lokale 2025 October 19, 2025 - 10:55

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar procesin e verifikimit dhe numërimit të votave në të gjitha 38 Qendrat Komunale të Numërimit, gjashtë ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, janë procesuar gjithsej 5,142 kuti votimi – nga 2,571 për secilin lloj zgjedhjesh (për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale).

Qendrat më të mëdha, Prishtina dhe Prizreni, përfunduan procesin të shtunën mbrëma. Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve vijon numërimi i votave nga jashtë vendit, i cili pritet të përfundojë të hënën. Deri të dielën në mëngjes janë numëruar 99 kuti me fletëvotime nga diaspora.

“Duke u mbështetur në informacionet nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri rreth orës 24:00 të ditës së shtunë, janë verifikuar rezultatet për 2,571 vendvotime të rregullta nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjetet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 2,571 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 2,571, janë numëruar votat e kanidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Pra, në këtë proces, në QKN, janë procesuar 5,142 kuti votime që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve”.

“Aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat filluan pas ditës së zgjedhjeve të 12 tetorit, janë përmbyllur në 38 komunat, sipas ditëvë në vazhdim: Hani i Elezit (e hënë, 13 tetor), Junik, Mamushë, Zveçan, Ranillug, Partesh (e martë, 14 tetor), Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj (e mërkurë, 15 tetor), Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas, Vushtrri (e enjte, 16 tetor), Gjakovë, Graçanicë dhe Mitrovicë e Jugut, Podujevë, Pejë, Kllokot, Leposaviq (e premte, 17 tetor), Gjilan, Malishevë, Prizren dhe Prishtinë (e shtunë, 18 tetor). Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke vijuar dita e tretë e numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale. Deri të dielën në orën 10:00, janë numëruar 54 kuti në të cilat janë të vendosura pakot me fletëvotime të supozuara nga zgjedhjet për Kryetarë të Komumnave dhe 45 kuti të tjera nga zgjedhjet për Kuvende Komunale”, tha Elezi./EO