
PDK-ja dyshon për “trenin bullgar” në një vendvotim në Shtime
Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, ka shprehur shqetësim në lidhje me parregullsitë serioze, që sipas tij janë evidentuar në vendvotimin 2207/01, në fshatin Belinc, komuna e Shtimes.
Sipas tij, duke u bazuar në të dhënat e paraqitura, ekzistojnë indikacione të qarta për shkelje të rëndë të procesit zgjedhor, duke përfshirë dyshimet për përdorimin e metodës së njohur si “Treni Bullgar”,
“Gjetjen e një fletëvotimi fals dhe mungesën e fletëvotimit origjinal. Këto elemente përbëjnë dyshime serioze për kryerjen e veprave penale që cenojnë integritetin e zgjedhjeve”.
“Në këtë drejtim, ftoj organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe organet e tjera hetimore, që të ndërmarrin hetim të menjëhershëm, të plotë dhe të paanshëm për këtë rast, në mënyrë që të sigurohet transparencë dhe përgjegjësi institucionale”, ka shkruar Gashi, transmeton Zeri.info.
Ai ka kërkuar që të ketë pasoja ligjore nëse ky rast vërtetohet.
“Nëse këto dyshime vërtetohen, ky rast nuk guxon të mbetet në heshtje dhe pa pasoja ligjore, sepse çdo veprim që cenon vullnetin e qytetarëve përbën rrezik serioz për procesin demokratik në vend. Çdo kërkesë më pas e subjekteve politike, pavarësisht përkatësisë, do të jetë legjitime dhe e arsyeshme, pasi vullneti i popullit duhet mbrojtur dhe respektuar në çdo rrethanë”, u shpreh Gashi.
Ai shtoi se KQZ-ja dhe të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të sigurojnë që procesi zgjedhor të jetë i ndershëm, transparent dhe i mbrojtur nga çdo formë manipulimi. /Zëri