Taktizimi i partive në balotazh, Arifi: Pres përmbysje rezultatesh
Foto: Laura Hasani

Taktizimi i partive në balotazh, Arifi: Pres përmbysje rezultatesh

Zgjedhjet Lokale 2025 October 14, 2025 - 22:43

21 komuna kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre në rrethin e parë, ndërkohë që 17 të tjera shkojnë në balotazh më 9 nëntor. Përgjatë kësaj kohe, sipas analistëve, pritet që marrëveshjet mes partive në nivel lokal të ndikojnë edhe në zhvillimet në nivel qendror.

Përmbysje rezultatesh të partive që qëndrojnë me numër më të madh të votave në 17 komuna, pritet të ketë në balotazhin e 9 Nëntorit.

Marrëveshjet që do të ndodhin para kësaj date do të bëhen me synim për ta dobësuar pozicionin aktual të Vetëvendosjes në nivel lokal, që sipas njohësit të çështjeve politike, Dritëro Arifi, ka trend pozitiv.

"Koalicionet lokale, partitë nuk janë të gatshme të bëjnë marrëveshje me Vetëvendosjen, duke e ditë se partia e fortë ka kushte të tjera, është synim i partive dobësim i partisë që ka dalë e para nëpër komuna", tha Arifi.

“Peja dhe Gjakova janë pak ma problematike, sepse janë komuna, ku partitë e para janë dominuese me vota, në Gjilan është e vështirë një koalicion për ta mund Vetëvendosjen. Në Prishtinë, ka një mirëbesim mes LDK e PDK... Por në Mitrovicë, do të jetë e vështirë pa një koalicion të fitohen zgjedhjet", tha Arifi.

Sipas Arifit, pritjet që marrëveshjet mes partive në nivel lokal, jo domosdoshmërisht përcaktojnë atë që mund të ndodhë në nivel qendror, parë faktin se asnjëri tabor politik nuk ka numra për qeveri të qëndrueshme.

Në garë ashpër ndodhet Lëvizja Vetëvendosje me PDK- në për ta qeverisur Mitrovicën e Jugut. Ndërsa në Pejë, Gazmend Muhaxheri i LDK-së do të ketë nevojë për mbështetjen e PDK-së ose AAK- së për ta mundur Taulant Kelmendin e Vetëvendosjes, që mori mbi 11 mijë vota. Edhe në Prizren, Shaqir Totaj i Partisë Demokratike të Kosovës do të garojë me Artan Abrashin e LVV-së.

E në Fushë Kosovë Valon Prebrezës së LVV-së do t’i duhet bashkëpunim me partinë e tretë ose të katërt për t’i marrë këtë bastion LDK-së. E paqartë mbetët edhe ajo çfarë do të ndodhë në Gjilan. Derisa Hyseni i Vetëvendosjes që ka fituar 49.49% të votave pret që me votat e diasporës dhe ato me kusht ta përmbyllë garën pa balotazh, në LDK presin përmbysje të rezultatit në favor të tyre. Përballja do të jetë interesante edhe në Gjakovë mes Ardian Gjinit të AAK-së me Ardian Golën e Vetëvendosjes.

Balotazh do të ketë edhe në Kaçanik, Rahovec, Viti, Vushtrri, Klinë e Kllokot.