
Me Muhaxherin apo Kelmendin do të bashkëpunojë Berisha në balotazh në Pejë?
Dje janë mbajtur zgjedhjet lokale. Sipas numërimit të votave nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, qytetarët e Pejës do të votojnë përsëri, më 9 nëntor.
Kjo pasi në garën për të parin e kësaj komune asnjë nga kandidatët nuk arriti që të fitonte garën i vetëm.
Gazmend Muhaxheri nga LDK-ja arriti që të merrte 46,11%, ose 19 e 305 vota. Në vendin e dytë përfundoi Taulant Kelemendi nga LVV-ja me 27,88%, ose 11 mijë e 508 vota.
Që të dytë duhet ta bindin Ali Berishën për balotazhin e 9 nëntorit.
Por me kë do të bashkëpunojë Ali Berisha që dje morri 18,41%?
“Ne do të presim rezultat për asamble fillimisht pastaj do të zhvillojmë një takim me strukturat e partisë këtu në Pejë. Neve na intereson interesat e subjektit tonë politik dhe do të vendosim në kohën e duhur”, ka thënë Berisha për Indeksonline.
Berisha thotë se AAK-ja në Pejë ka pasur garë me një qeveri të tërë dhe një qeveri komunale.
“Ka qenë një proces demokratik, ka qenë e pamundur që të kemi një rezultat më të mirë bazuar në atë çka partitë e tjera kanë pasur në dispozicion. Aleanca këtu në Pejë ka pasur garë me një qeveri të të tërë dhe një qeveri komunale. Rezultati është i kënaqshëm, kemi ngritje krahasuar me vitin 2021 edhe si parti edhe si asamble”, thotë Berisha.