Më 11 tetor përfundon votimi përmes postës për votuesit jashtë Kosovës

Më 11 tetor përfundon votimi përmes postës për votuesit jashtë Kosovës

Zgjedhjet Lokale 2025 October 08, 2025 - 09:54

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se më 11 tetor përfundon periudha e votimit jashtë Kosovës për shtetasit e Kosovës, të cilët janë regjistruar për të votuar përmes postës në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

Kjo periudhë, e cila ka filluar më 17 shtator, vlen vetëm për 43,933 shtetasit që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës.

KQZ-ja ka sqaruar se deri më 11 tetor 2025, votuesit e regjistruar jashtë Kosovës duhet të dërgojnë pakon e tyre me fletëvotime në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së.

“Me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanadë, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër”, thuhet në njoftim. /Zëri