
Shahini: Kostoja e banimit në Prishtinë e papërballueshme, të tjerët s’janë marrë me këtë problem
Kandidatja e Partisë Socialdemokrate për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini, ka prezantuar vizionin e saj për kryeqytetin.
Shahini tha se banimi dhe arsimi janë dy çështjet kryesore në të cilën bazohet programi i PSD-së.
Ajo tha se kostoja e banimit në Prishtinë është e papërballueshme.
“Kostoja në Prishtinë është bërë e papërballueshme. Kjo është konfirmuar dhe nga njerëzit me të cilët jemi takuar në terren, edhe gjatë vizitae derë më derë edhe kur i kemi vizituar në bizneset e tyre. Janë dy kategori që më së shumti e rëndojnë buxhetin familjar janë shpenzimet për arsimin, çerdhe, kopshte, qëndrim ditor, transporti shkollor, por pjesa më e madhe shkon drejt banimit”, tha ajo në debatin për kryeqytetin në Klan Kosova.
“Familjet në Prishtinë një pjesë të madhe të të hyrave i shpenzojnë për qira dhe për blerje. Kështu që ne kot merremi me projekte si tramvaji, nënkalimi, mbikalimi, kur në Prishtinë i kemi dy probleme thelbësore”, theksoi ajo.
Kandidatja e PSD-së pati kritika në adresë të kundërkandidatëve të saj, duke thënë se askush nga ta nuk është marrë me këto problematika.
“Kandidati i VV-së është ministër i Kulturës është deputet as ai nuk është marrë me këto tema, kryetari aktual nuk është që është marrë me banimin. Në fakt, këto tri vjetët çmimet kanë pasur më së shumti rritje”, deklaroi ajo.