
Ruzhdi Shehu: Me ndihmën e mërgatës, fitojmë pa balotazh më 12 tetor
Kryetari aktual i Komunës së Junikut dhe kandidati për një mandat të ri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ruzhdi Shehu, ka bërë një apel të fuqishëm drejtuar mërgatës junikase për të marrë pjesë masivisht në zgjedhjet e 12 tetorit, duke theksuar rolin vendimtar që ka vota e tyre në përcaktimin e drejtimit të komunës për katër vitet e ardhshme.
Shehu ka njoftuar se, sipas të dhënave nga terreni, nga 1407 votues të regjistruar nga mërgata, rreth 700 kanë votuar deri më tani, shumica prej tyre për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ai ka falënderuar të gjithë ata që tashmë kanë dhënë votën e tyre, por ka bërë thirrje për një mobilizim edhe më të madh në ditët e mbetura.
“Mërgata është gjysma e zemrës së Junikut. Vota juaj është e domosdoshme për të vendosur mbi fatin e komunës në katër vitet e ardhshme,” ka deklaruar Shehu.
Shehu ka kërkuar nga të gjithë mërgimtarët që ende nuk kanë votuar me postë, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike, ndërsa ata që nuk kanë arritur të regjistrohen, i ka ftuar të udhëtojnë drejt Junikut dhe të votojnë më 12 tetor.
“Kontributi juaj për Junikun ka qenë gjithmonë thelbësor. Edhe këtë herë, komuna ka nevojë për ju ndoshta më shumë se kurrë më parë,” ka theksuar Shehu, duke shtuar se mbështetja e mërgatës është çelësi për ta konfirmuar fitoren pa balotazh.
Në përfundim të mesazhit, ai ka theksuar se LDK është e vendosur të vazhdojë me projektet zhvillimore për komunën dhe ka përsëritur moton e fushatës:
“Vazhdojmë +4 pa balotazh.”