
Shehu: Juniku do të bëhet me pishinën e parë gjysmë olimpike
Juniku pritet të pasurohet me një investim të rëndësishëm në infrastrukturën sportive.
Kryetari i komunës, Ruzhdi Shehu ka njoftuar se së shpejti do të nisë ndërtimi i pishinës së parë gjysmë olimpike në qytet – një projekt që do të ketë vlerën rreth 500 mijë euro dhe do të realizohet gjatë mandatit të dytë të qeverisjes.
Sipas tij, projekti do të jetë në përputhje me standardet më të fundit ndërkombëtare, duke sjellë për Junikun një hapësirë moderne për zhvillimin e sportit dhe rekreacionit.
“Juniku do të bëhet me pishinë e parë gjysmë olimpike. Ky projekt do kap vlerën rreth gjysmë milioni euro dhe do të realizohet gjatë mandatit tonë të dytë në përputhje me standardet e fundit ndërkombëtare. Urime të gjithve,” ka shkruar kryetari në një postim publik.
Ai ka theksuar se ky është një prej projekteve që synon të plotësojë transformimin e komunës, duke ftuar qytetarët të vazhdojnë mbështetjen në zgjedhjet e 12 tetorit, ku shprehet i bindur për një fitore pa balotazh.
“Pak ditë na ndajnë nga fitorja e 12 tetorit, në mënyrë që të kompletojmë transformimin e Junikut. Vazhdojmë +4 pa balotazh,” ka shtuar ai.
Ky projekt pritet të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin e sportit lokal, promovimin e aktiviteteve rinore dhe rritjen e atraktivitetit të Junikut si destinacion turistik dhe rekreativ. /Zëri