Abdixhiku në Prizren: Ky qytet meriton një qeverisje me vizion, jo propagandë – Selmanaj është njeriu i guximit

Abdixhiku në Prizren: Ky qytet meriton një qeverisje me vizion, jo propagandë – Selmanaj është njeriu i guximit

Zgjedhjet Lokale 2025 September 28, 2025 - 20:32

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një tubim elektoral në Prizren ku prezantoi vizionin e partisë për zhvillimin e qytetit dhe dha mbështetjen për kandidatin për kryetar, Driton Selmanaj.

Në fjalimin e tij, Abdixhiku e quajti Prizrenin “zemra e historisë sonë dhe krenaria e kulturës sonë”.

“Prizreni nuk është thjesht një vend. Prizreni është kujtesë e gjallë e kombit tonë. Është qyteti ku guri flet, ku ura lidh, ku lagjja frymon bashkëjetesë”, tha Abdixhiku, duke rikujtuar rolin historik të qytetit nga Lidhja e Prizrenit e deri te përpjekjet për liri dhe pavarësi.

Kreu i LDK-së e cilësoi Prizrenin si qytetin me potencialin më të madh zhvillimor në Kosovë, por që sipas tij është i bllokuar nga një qeverisje pa vizion.

“Prizreni sot nuk ka asnjë projekt madhor të përfunduar. Qyteti është lënë në duar të propagandës, jo të punës. Rinia është lënë pa perspektivë, bizneset pa mbështetje, kultura pa investime”, u shpreh ai, duke akuzuar pushtetin lokal dhe atë qendror për neglizhencë.

Abdixhiku prezantoi edhe planin e LDK-së për qytetin, duke theksuar se partia synon ta shndërrojë Prizrenin në “kryeqytetin e turizmit në rajon”, me infrastrukturë moderne, vende pune për të rinjtë dhe mbështetje për artistët e kulturën.

“Ne duam që ky qytet të ketë shkolla të reja, çerdhe të mjaftueshme, kushte më të mira për fëmijët tanë. Ne duam që ky qytet të ketë spital funksional, kujdes shëndetësor të garantuar, stadiume e fusha për rininë”, theksoi ai, raporton EO.

Në qendër të fjalimit të Abdixhikut ishte kandidati për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, të cilin e përshkroi si njeri të fjalës së mbajtur dhe me përvojë udhëheqëse.

“Driton Selmanaj është njeriu i guximit dhe i vizionit. Ai di të përfaqësojë me dinjitet, di të dëgjojë me kujdes dhe di të udhëheqë me përgjegjësi”, tha Abdixhiku, duke e paraqitur Selmanajn si liderin që i duhet qytetit.

Ai ftoi qytetarët të votojnë LDK-në dhe ekipin e saj më 12 tetor, duke e quajtur këtë garë “për të ardhmen e Prizrenit”.

“Kjo nuk është vetëm një garë politike. Kjo është garë për punën, për të rinjtë, për familjet, për fëmijët. Kjo është garë për dinjitetin e Prizrenit. Dhe këtë garë ne do ta fitojmë bashkë”, përfundoi Abdixhiku mes duartrokitjeve të mbështetësve.