KQZ-ja nuk miraton përbërjen e Listës Serbe
Foto: Laura Hasani

KQZ-ja nuk miraton përbërjen e Listës Serbe

Zgjedhjet 2025 January 31, 2026 - 11:07

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka shpallur të shtunën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë.

Anëtarët e KQZ-së i kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe. Tre anëtarë kanë votuar për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë kanë abstenuar.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se palët kanë të drejtë ankese ndaj rezultatit për 48 orë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, dhe një ulëse, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.