Rinumërimi prek votat e kandidatëve për kryeministër, kush fitoi e kush humbi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet pas rinumërimit të 99.78% të votave, ku janë evidentuar ndryshime në numrin e votave për disa kandidatë të subjekteve politike.
Ndryshime në numrin e votave janë evidentuar edhe tek kandidatët për kryeministër nga LVV, PDK, LDK e AAK.
Sipas të dhënave zyrtare, Albin Kurti nga LVV ka siguruar gjithsej 56,338 vota, ndërsa nga rinumërimi është shënuar një ulje prej 141 votash krahasuar me rezultatet paraprake.

Për dallim nga Kurti, Bedri Hamza nga PDK-ja ka siguruar gjithsej 24,277 vota, ku nga rinumërimi atij i janë shtuar 59 vota më shumë.

Edhe Lumir Abdixhiku nga LDK ka pasur një rritje prej 5 votave më shumë nga rinumërimi. Ai ka siguruar gjithsej 11,650 vota.

Ndërkaq humbje të votash nga procesi i rinumërimit ka pësuar edhe Ramush Haradinaj nga AAK. Ai ka 14 vota më pak, ndërsa në total numri i votave është 4,993.

Procesi i rinumërimit po vazhdon edhe për kandidatë të tjerë dhe subjekte politike, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të certifikohen pas përmbylljes së të gjitha procedurave ligjore. /Telegrafi