Gati gjysma e votave të PDK-së në Prizren iu numëruan rrejshëm një kandidati
Foto: Laura Hasani

Gati gjysma e votave të PDK-së në Prizren iu numëruan rrejshëm një kandidati

Zgjedhjet 2025 January 17, 2026 - 17:17

Vota për kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren në zgjedhjet e 28 dhjetorit është devijuar ndjeshëm në numërimin e parë, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nga procesi i rinumërimit të 109 vendvotimeve deri tash, vetëm në këtë komunë janë të paktën pesë kandidatë me më shumë se nga 1000 vota të numëruara rrejshëm paraprakisht.

“Listës së zezë” i prin Fetah Paçarizi. Në rinumërimin e deritashëm ai del se në Qendrën Komunale të Numërimit kishte përfituar 3334 vota më shumë se që kishte në realitet. E krejt vota të PDK-së të rinumëruara për subjekt janë 7458. Pra gati në gjysmën e votave për PDK-në ka pasur manipulim pro Paçarizit.

Gjatë numërimit fillestar del se 1706 vota i janë shtuar edhe Nait Hasanit. Arianit Çollakut i ishin shtuar 1197, Kujtim Gashit 1181 e Luljeta Veselaj Gutajt 1027.

Ndërkaq më së shumti vota i ishin hequr rrejshëm në numërimin e parë Uran Ismailit (445), Arian Tahirit (331), Vlora Çitakut (262), Përparim Grudës (240) e Jona Hoxhajt (206).

Rinumërimi i votave në Prizren ka shpërfaqur manipulime në raundin e parë te secili subjekt, por jo në shkallën si te PDK-ja.

Te Lidhja Demokratike e Kosovës nga rinumërimi i rreth 3000 votave për subjekt, del se Xhavit Ukës i ishin numëruar rrejshëm 722 vota më shumë se sa që kishte marrë në realitet, ndërsa Driton Selmanajt 570. Anton Qunit i ishin shtuar 331 vota. Te kjo parti “viktima” më e madhe ishte kryetari Lumir Abdixhiku të cilit i ishin hequr rrejshëm 70 vota.

Në LVV, të cilës i janë rinumëruar më shumë se 15 mijë vota, manipulimi më i madh ka qenë në 268 vota te Dafina Alishani. “Viktima” më e madhe ishte Glauk Konjufca me 58 vota.

Të shtunën, Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim bëri thirrje për rinumërim të plotë në nivel vendi duke thënë se rinumërimi i deritashëm ka konfirmuar keqpërdorimet serioze nëpër qendrat komunale të numërimit. /eo

Image

Image