Numërohen mbi 5% e votave me postë, LVV kryeson – AAK-ja befason në vendin e dytë
Pak pas orës 16:00 të ditës së shtunë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit përmes postës.
Sipas të dhënave të deritanishme, pas numërimit të 5 nga 92 kutitë, apo 5.43 për qind të totalit të votave me postë, Lëvizja VETËVENDOSJE! prin me 68.08 për qind, duke grumbulluar 785 vota.
Në këtë fazë të procesit, befasia është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila aktualisht është renditur e dyta me 177 vota apo 15.35 për qind të votave me postë.
Pas saj renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 147 vota (12.75 për qind), ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 29 vota, që përbëjnë 2.52 për qind.
Numërimi i votave me postë po vazhdon, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të tregojnë nëse ky trend do të ketë ndikim në shpërndarjen finale të mandateve në Kuvendin e Kosovës. /telegrafi
