Ndërpritet numërimi i votave, do të rifillojë nesër në orën 16:00
Foto: Laura Hasani

Ndërpritet numërimi i votave, do të rifillojë nesër në orën 16:00

Zgjedhjet 2025 December 31, 2025 - 12:23

Procesi i numërimit të votave është ndërprerë sot me fillim nga ora 12:00 dhe do të rifillojë nesër, më 1 janar, në orën 16:00, sipas vendimit të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ky orar është përcaktuar disa ditë më parë, në kuadër të organizimit të punës gjatë ndërrimit të viteve, duke paraparë një pauzë të shkurtër për festat e fundvitit.

Pavarësisht ndërprerjes së përkohshme, nga KQZ-ja kanë bërë të ditur se procesi do të vazhdojë sipas planit të parashikuar.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, 27 komuna e kanë përmbyllur deri më tani procesin e numërimit.

“Njoftojmë se deri më sot, aktivitetet e numërimit janë përmbyllur në 27 komuna, përkatësisht në Mamushë, Shtërpcë, Junik, Han i Elezit, Kllokot, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Zveçan, Viti, Zubin Potok, Ranillug, Dragash, Istog, Obiliq, Gllogoc, Deçan, Shtime, Klinë, Kamenicë, Fushë Kosovë, Leposaviq, Graçanicë, Vushtrri, Rahovec, Skënderaj dhe Kaçanik”, tha Elezi.

Procesi i numërimit do të vazhdojë në komunat: Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Ferizaj, Malishevë, Gjilan, Lipjan e Suharekë.

Numërimi deri tani ka arritur në mbi 1.900 nga 2.557 vendvotime, ose më shumë se 74%.