KQZ-ja pranon mbi 27 mijë pako me vota nga diaspora dhe refuzon 950, numërimi nis këtë javë
Foto: Laura Hasani

KQZ-ja pranon mbi 27 mijë pako me vota nga diaspora dhe refuzon 950, numërimi nis këtë javë

Zgjedhjet 2025 December 31, 2025 - 12:20

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se 58 mijë qytetarë nga jashtë vendit ishin regjistruar për të votuar për zgjedhjet e 28 dhjetorit, por deri tani nuk dihet saktësisht se sa prej tyre e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se shërbimi i votuesve ka pranuar deri tani mbi 28 mijë pako të supozuara me fletëvotime, nga të cilat 27.600 janë aprovuar dhe 950 janë refuzuar, transmeton Zeri.info.

Ai tha se numërimi i votave të diasporës pritet të nisë këtë javë.

“Numri i shtetasve të regjistruar nga jashtë është rreth 58 mijë, nuk dihet ende se sa e kanë ushtruar të drejtën e votës, deri më tani janë tërhequr nga kutitë postare mbi 28 mijë pako me fletëvotime që janë vlerësuar e verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së”.

“Nga numërimi i përgjithshëm me pako deri më tani që kanë pranuar, janë aprovuar 27.600, janë refuzuar më shumë se 950. Numërimi i votave të diasporës fillon gjatë kësaj jave”, tha Elezi në konferencë për media. /Zëri