DnV: Zgjedhjet u zhvilluan sipas standardeve demokratike, por KQZ-ja u përball me vendime të kundërligjshme dhe përplasje politike
Foto: Laura Hasani

DnV: Zgjedhjet u zhvilluan sipas standardeve demokratike, por KQZ-ja u përball me vendime të kundërligjshme dhe përplasje politike

Zgjedhjet 2025 December 30, 2025 - 17:15

Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike, në një atmosferë të qetë dhe pa asnjë incident serioz, duke theksuar se procesi i votimit në ditën e zgjedhjeve ka qenë përgjithësisht i rregullt.

Kështu u tha në konferencën për media të DnV-së, ku Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) prezantoi gjetjet preliminare të koalicionit vëzhgues, duke theksuar se pavarësisht mbarëvajtjes së përgjithshme të procesit, zgjedhjet janë shoqëruar edhe me një sërë shkeljesh dhe sfidash që kanë ndikuar në integritetin e garës zgjedhore.

Cakolli tha se zgjedhjet janë zhvilluar “në përputhje me standardet demokratike, në një atmosferë demokratike dhe pa asnjë incident serioz”, por shtoi se edhe kjo fushatë zgjedhore është karakterizuar nga vendime që përbëjnë shkelje ligjore.

Ai veçoi vendimin e qeverisë për ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët, për të cilin tha se “ka pasur ndikim në garën zgjedhore duke krijuar një garë të pabarabartë”.

Sipas tij, dalja e votuesve ka qenë relativisht e lartë, ndërsa puna e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë kryesisht transparente dhe në masë konsensuale.

“Administrimi i përgjithshëm i procesit zgjedhor ka qenë funksional, ndonëse i shoqëruar me sfida të natyrës institucionale, procedurale dhe politike, të cilat në disa raste kanë ndikuar në cilësinë dhe perceptimin publik të procesit. Procesi i votimit gjatë Ditës së Zgjedhjeve është zhvilluar kryesisht në një atmosferë të qetë dhe demokratike, pa incidente serioze të sigurisë që do të mund të cenonin integritetin e zgjedhjeve. Dalja e votuesve ka qenë relativisht e lartë, ndërsa shumica e parregullsive të evidentuara nga vëzhguesit e DnV- së kanë qenë të karakterit procedural dhe nuk kanë ndikuar në rezultatin e përgjithshëm të procesit zgjedhor”, tha ai.

Duke folur për fushatën zgjedhore, Cakolli tha se, ndonëse më e shkurtër në kohë, ajo është zhvilluar në një atmosferë të qetë, por ka qenë e personalizuar dhe e centralizuar rreth liderëve partiakë.

Ai theksoi se mungesa e debateve ndërmjet kandidatëve për kryeministër “e ka cunguar të drejtën e qytetarëve”.

Ai ka theksuar se procesi i certifikimit të subjekteve politike është shoqëruar sërish me vendime të kundërligjshme nga KQZ, duke përmendur rastin e Listës Serbe.

“Procesi vendimmarrës i trupave menaxhuese zgjedhore, në veçanti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka qenë përgjithësisht konsensual. Megjithatë, për disa çështje të ndjeshme – si certifikimi i subjekteve politike, votimi jashtë vendit dhe emërimi i stafit zgjedhor – janë shënuar përplasje të theksuara politike mes anëtarëve të KQZ-së, kryesisht ndërmjet përfaqësuesve të partisë në pushtet dhe anëtarëve të tjerë. Procesi i certifikimit të subjekteve politike u shoqërua sërish me vendime të kundërligjshme nga KQZ. Refuzimi fillestar për certifikimin e Listës Serbe, pavarësisht përmbushjes së kritereve ligjore, u korrigjua vetëm pas ndërhyrjes së Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykatës Supreme. Ky rast dëshmoi ndikimin e konsideratave politike mbi vendimmarrjen administrative dhe cenoi besimin në pavarësinë institucionale të KQZ-së”, tha ai.

Cakolli foli edhe për çështjen e votimit jashtë vendit, duke thënë se kjo ka qenë ndër temat më të diskutuara dhe polarizuese në KQZ. Ai shtoi se lista e votuesve vazhdon të mbetet problematike dhe se ka nevojë për ndërhyrje më afatgjata në këtë drejtim.

“Votimi jashtë vendit ka qenë një nga segmentet më të ndjeshme të këtyre zgjedhjeve. Ndryshimet ligjore kanë zgjeruar format e votimit për diasporën, përfshirë votimin fizik në përfaqësitë diplomatike dhe votimin me postë. Interesimi i votuesve jashtë Kosovës ka qenë i lartë, veçanërisht në votimin në ambasada, ku është shënuar një dalje mbi 84%. Megjithatë, procesi i votimit me postë është shoqëruar me sfida logjistike dhe shqetësime mbi sigurinë dhe mbikëqyrjen institucionale”.

“Lista e votuesve vazhdon të mbetet një çështje problematike strukturore. Edhe pse KQZ ka ndërmarrë hapa për pastrimin dhe verifikimin e saj, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar mbetet dukshëm më i lartë se popullsia rezidente e Kosovës, duke cenuar besimin e publikut në saktësinë e listës zgjedhore. Zgjedhjet janë monitoruar nga një numër i madh vëzhguesish. Në total, mbi 19,000 vëzhgues janë akredituar nga KQZ, ku pjesa dërrmuese i përkiste subjekteve politike. Prania e gjerë e vëzhguesve ka kontribuar në transparencën e procesit, ndërsa roli i vëzhgimit të pavarur vendor mbetet thelbësor për vlerësimin objektiv të procesit zgjedhor”.

Sipas tij, fotografimi i votës mbetet problemi kryesor i evidentuar, me 32 raste të raportuara në mbi 20 vendvotime. Cakolli theksoi se zhvillimi më pozitiv i këtij procesi ka qenë publikimi i shpejtë dhe pa vonesa i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.