Numërimi i votave për deputetë, në Prishtinë procesi pritet të përfundoj për një javë
Salla 1 Tetori në Prishtinë, sërish është shndërruar në Qendër Komunale të Numërimit të Rezultateve.
Në tavolinat e vendosura gjithandej sallës, fletët e votimit po verifikohen e numërohen një nga një.
Kryesuesja e Komisionit Komunal Zgjedhor në Prishtinë, Fatmire Bajrami, është e bindur se në kryeqytet, ky proces do të përfundoj shpejtë.
“Sot çdo gjë ka shku mirë sipas planifikimit të Komisionit Komunal Zgjedhor dhe veç se ka fillu procesi jemi në vazhdimësi të procesit. Nuk kemi pas problem se paraprakisht janë emëruar antarët e ekipeve të numërimit. Unë po shpresoj që për 1 javë Komuna e Prishtinës do ta mbarojë procesin e numërimit të votimit”, tha ai.
Ndërkaq zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi në konferencë për media tregoi për detajet e verifikimit të votave.
“Përveç numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, në këto qendra, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve”, u shpreh Elezi.
Ai tha se për votat përmes postës akoma nuk kanë të dhëna.
“Nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre apo 84.24%. Ndërkaq, nga votimi përmes postës, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Nga ky lloj votimi, ende nuk kemi të dhëna përfundimtare për numrin e pakove me fletëvotime pasi këto të dhëna do t’i kemi pas përfundimit të procesit të tërheqjes së tyre nga kutitë postare”, tha Elezi.
Sipas të dhënave preliminare nga Komisioni Qendror Zgjedhor, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht. Ndërkaq nga personat me aftësi te kufizuar numri i regjistruar ka qenë 2,860./teve1