KQZ: 84,24% - pjesëmarrja e votuesve nga diaspora në përfaqësi diplomatike
Foto: Laura Hasani

KQZ: 84,24% - pjesëmarrja e votuesve nga diaspora në përfaqësi diplomatike

Zgjedhjet 2025 December 29, 2025 - 13:12

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se 84,24% e votuesve të diasporës të regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike jashtë Kosovës kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.

"Nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre, ose 84.24%. Ndërkaq nga votimi përmes postës, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Nga ky lloj votimi, ende nuk kemi të dhëna përfundimtare për numrin e pakove me fletëvotime pasi këto të dhëna do t’i kemi pas përfundimit të procesit të tërheqjes së tyre nga kutitë postare. Sipas të dhënave preliminare, vetëm nga tërheqjet e dy kutive postare, në Berlin dhe Bern, janë tërhequr 18 mijë pako të supozuara me fletëvotime”, njoftoi zëdhënësi Valmir Elezi në një konferencë për media.

Elezi ka thënë se procesi i njëjtë do të bëhet në 38 Qendra Komunale të Numërimit, në të cilat do të punohet me dy orare tashmë për verifikimin e votave të kandidatëve për deputetë.

KQZ-ja më tej njoftoi se sivjet për të votuar u regjistruan 2,860 persona me nevoja të veçanta. Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9.900 votues të regjistruar për të votuar me kusht.