Stavileci: Demokracia forcohet me votë, dilni dhe votoni
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, përmes një konference për media, u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar edhe në gjysmë orën e fundit të mbetur.
Stavileci ka theksuar se çdo votë ka rëndësi dhe çdo qytetar mund ta bëjë dallimin.
“Në këto momente, kanë mbetur edhe pak minuta deri në mbylljen e vendvotimeve, ftesa jonë është e qartë dhe e drejtpërdrejtë: nëse ende nuk e keni shfrytëzuar të drejtën tuaj për të votuar, dilni tani dhe bëjeni këtë. Sot, çdo votë ka rëndësi dhe çdo qytetar mund ta bëjë dallimin. Gjysmë ore kohë për të votuar, mund të jetë një hap i vogël për ju, por një hap vendimtar për të ardhmen e vendit tonë”, ka shtuar ai.
Stavileci ka falënderuar të gjithë qytetarët që sot dolën dhe ushtruan të drejtën e tyre demokratike për të votuar.
“Faleminderit secilit qytetar që vendosi të mos qëndrojë anash, por të bëhet pjesë aktive e vendimmarrjes. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata qytetarë që na besuan dhe na votuan. Gjatë gjithë ditës kemi thënë, me përulësi dhe përgjegjësi, se mbështetja që po marrim ka peshë të veçantë. Sot, bazuar në të dhënat dhe sinjalet që po vijnë nga terreni, e ripërsërisim këtë mesazh: kjo votë po shkon drejt të qenët historike për Partinë Demokratike të Kosovës. Kjo na nderon, por mbi të gjitha na obligon përpara qytetarëve. Ky është një mesazh i qartë i qytetarëve për më shumë stabilitet, më shumë zhvillim dhe një jetë më të mirë për secilin”, ka thënë ai. /Zëri