Kurti u bën thirrje qytetarëve të dalin në votime
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, vetëm pak orë para mbylljes së vendvotimeve.
Në mesazhin e tij drejtuar në rrjetet sociale, Kurti theksoi se pjesëmarrja e gjerë në zgjedhje rrit legjitimitetin e institucioneve që do të dalin nga procesi zgjedhor.
Ai nënvizoi se dita e zgjedhjeve është vendimtare për drejtimin e vendit në katër vitet e ardhshme.
“Kjo është dita kur secili prej nesh mund të jetë përcaktues për të ardhmen”, tha Kurti, duke ftuar qytetarët që jo vetëm të votojnë vetë, por edhe të inkurajojnë miqtë dhe familjarët të bëhen pjesë e procesit demokratik.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos e shtyjnë votimin për momentet e fundit dhe e përmbylli mesazhin me një ton emocional, duke shprehur afërsinë e tij me qytetarët.