Abdixhiku mbyll fushatën e LDK-së në Prishtinë: Zgjidhni shpresën, zgjidhni LDK-në
Lidhja Demokratike e Kosovës ka përmbyllur sonte fushatën zgjedhore me një tubim të madh në Prishtinë, ku kandidati për kryeministër dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, këtë tubim e ka quajtur hapje të një kapitulli të ri për Kosovën.
“Sonte nuk jemi këtu vetëm për ta mbyllur një fushatë. Jemi këtu për ta hapur një kapitull,” deklaroi Abdixhiku para mijëra përkrahësve, duke theksuar se LDK-ja është forca që garanton stabilitet, orientim perëndimor dhe shtet funksional.
Ai u shpreh se Kosova “nuk është e lodhur nga demokracia, por nga mashtrimi”, duke shtuar se pa LDK-në nuk ka stabilitet institucional dhe as partneritet të besueshëm me botën demokratike.
“Sonte jemi mbledhur edhe një herë. Jo si zakon, jo si rutinë, jo për t’i përmbushur formalitetet. Jemi mbledhur sepse kjo shtëpi di të flasë kur të tjerët heshtin dhe di ta thërrasë popullin kur koha kërkon guxim. Jemi mbledhur sepse Lidhja Demokratike e Kosovës nuk matet me ditë të lehta, por me momente të vështira – dhe del përpara pikërisht atëherë kur vendit i duhet drejtim, përgjegjësi dhe shpresë. Jemi mbledhur nga çdo anë e Kosovës, nga qytetet e mëdha e fshatrat e vegjël, nga mërgata që kurrë nuk e harroi atdheun, nga rinia që kërkon të ardhme e nga familjet që kërkojnë siguri – sonte jemi këtu bashkë. Të bashkuar jo nga zemërimi, por nga besimi. Jo nga frika, por nga vendosmëria. Jo nga propaganda, por nga e vërteta. Kjo është LDK-ja që e kemi dashur gjithherë. Kjo është LDK-ja që e kemi ëndërruar përherë. Një lëvizje njerëzish të lirë, jo një turmë e komanduar. Një forcë politike e mendimit, jo e zhurmës. Një shtëpi ku fjala ka peshë, ku dinjiteti ka vlerë dhe ku shteti ka qenë gjithmonë mbi secilin prej nesh. Sonte nuk jemi këtu vetëm për ta mbyllur një fushatë. Jemi këtu për ta hapur një kapitull. Jemi këtu për ta thënë qartë se Kosova nuk është e lodhur nga demokracia – Kosova është e lodhur nga mashtrimi. Nuk është e lodhur nga shteti – është e lodhur nga keqpërdorimi i tij. Dhe kur populli lodhet nga gënjeshtra, kërkon të vërtetën. Dhe e vërteta është kjo, është e zëshme, është e qartë: pa Lidhjen Demokratike të Kosovës, nuk ka stabilitet. Pa LDK-në, nuk ka orientim. Pa LDK-në, nuk ka shtet që flet me botën dhe nuk ka shtet që respekton qytetarin e vet.
“Pa Lidhjen Demokratike të Kosovës, nuk ka stabilitet. Pa LDK-në, nuk ka orientim. Pa LDK-në, nuk ka shtet që flet me botën dhe nuk ka shtet që respekton qytetarin e vet,” tha Abdixhiku.
“Në këto javë fushate kemi kaluar çdo anë të Kosovës. Kemi qenë në sheshe e salla, në rrugë e lagje, në qytete të mëdha e në vendbanime të vogla. Kemi parë energji. Kemi parë shpresë. Kemi parë njerëz që ende besojnë se politika mund të jetë ndryshe. Por mbi të gjitha, kemi dëgjuar zërin e qytetarëve tanë. Dhe ai zë ishte i qartë. Nuk ishte zë urrejtjeje. Ishte zë lodhjeje. Ishte zë i njerëzve që punojnë shumë e jetojnë vështirë. I prindërve që mezi e mbyllin muajin. I të rinjve që studiojnë, por nuk shohin perspektivë. I pensionistëve që numërojnë ditët me frikë nga fatura e radhës. Në këtë fushatë kemi parë prindër të fortë. Prindër që nuk ankohen lehtë. Prindër që gjithmonë kanë ditur të sakrifikojnë për fëmijët e tyre. Janë njerëz që punojnë ndershëm, që e mbajnë familjen mbi supe dhe që kërkojnë vetëm një gjë: siguri. Por sot, edhe prindërit më të duruar e ndiejnë pasigurinë. Çdo muaj pyesin veten nëse paga do të mjaftojë. Çdo faturë bëhet shqetësim. Çdo rritje çmimi bëhet alarm. Dhe pyetja që u rri mbi kokë është e thjeshtë, por e rëndë: a po bëjmë mjaftueshëm për fëmijët tanë? Familjet tona janë të bashkuara, punëtore, me vlera të forta. Janë familje që e kanë mbajtur këtë shoqëri gjallë edhe në kohët më të vështira. Por sot ato po përballen me një realitet të ri: shteti po tërhiqet, ndërsa barra rritet. Kur çerdhja mungon, kur shkolla nuk ofron mbështetje, kur shërbimet publike dobësohen, familja mbetet e vetme përballë sfidave. Dhe kjo nuk është drejtësi sociale; kjo është padrejtësi e heshtur. Mësuesit tanë janë ndër njerëzit më të përkushtuar që kemi. Ata nuk edukojnë vetëm me libra, por me shembull. Formojnë karaktere, krijojnë qytetarë dhe mbajnë gjallë shpresën për të ardhmen. Por sot, shumë mësues e fillojnë ditën duke menduar jo vetëm për nxënësit, por për mbijetesën.
Si ta përballojnë muajin? Si ta mbajnë familjen? Si të vazhdojnë me dinjitet një profesion që meriton respekt të plotë shoqëror? Mjekët dhe infermierët tanë janë profesionistë të zotë, të trajnuar, të respektuar kudo në botë. Ata shpëtojnë jetë çdo ditë. Por në vendin e tyre shpesh ndihen të harruar. Punojnë me orë të gjata, në kushte të vështira, nën presion të vazhdueshëm. Dhe gjithnjë e më shpesh pyesin veten: a ka perspektivë këtu për profesionalizmin tonë, apo duhet ta kërkojmë diku tjetër? Policët dhe ushtarët tanë janë njerëz të disiplinës, të përkushtimit dhe të sakrificës. Ata nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë respekt. Kërkojnë kushte të denja. Kërkojnë siguri për familjet e tyre. Sepse nuk mund të kërkosh rend e siguri nga ata që vetë ndihen të pasigurt. Shteti që nuk kujdeset për ata që e mbrojnë, e dobëson vetveten. Ndërmarrësit tanë janë njerëz të guximit. Ata investojnë, rrezikojnë, hapin vende pune dhe mbajnë ekonominë në lëvizje. Janë shtylla e zhvillimit. Por sot shumë prej tyre ndihen të pambrojtur. Ndihen të pasigurt nga rregullat që ndryshojnë, nga presioni administrativ, nga mungesa e partneritetit me institucionet. Dhe pyetja që bëjnë çdo ditë është kjo: a ia vlen të investosh këtu, apo duhet ta kërkosh stabilitetin diku tjetër? Të rinjtë tanë janë ndër më të talentuarit. Të mençur, kreativë, të shkolluar, të lidhur me botën. Ata kanë dije, ide dhe ambicie. Por çdo ditë e më shumë kalojnë duke e bërë një pyetje të dhimbshme: a kam të ardhme në Kosovë? Nuk duan të ikin. Duan të qëndrojnë. Duan të kontribuojnë. Por pa mundësi reale, edhe shpresa më e madhe fillon të zbehet”, theksoi ai. /eo