Hamza u bën thirrje qytetarëve: Dilni dhe votoni për stabilitetin dhe të ardhmen e Kosovës [video]
Kandidati për kryeminstës nga PDK, Bedri Hamza u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje, duke theksuar rëndësinë e votës për të ardhmen e Kosovës, stabilitetin dhe unitetin e vendit.
Në një video-mesazh të publikuar në Facebook, Hamza ka deklaruar se zgjedhjet e ardhshme janë vendimtare dhe se përgjegjësia kryesore për vendimmarrjen u takon qytetarëve.
“Të dashur bashkëqytetarë, pas vetëm disa ditësh, Kosova do të marrë një vendim shumë të rëndësishëm, një vendim për stabilitetin, unitetin, për të ardhmen që duam, për familjet tona dhe për vendin tonë”, ka thënë Hamza.
Ai ka theksuar se zgjedhjet nuk vendosen nga familjet apo premtimet, por nga qytetarët që dalin dhe votojnë.
“Ju e dini, zgjedhjet nuk vendosen nga familjet apo premtimet, ato vendosen nga qytetarët që dalin dhe votojnë, vendosen nga ju. Vota juaj ka rëndësi, zëri juaj ka rëndësi dhe pjesëmarrja juaj ka rëndësi”, është shprehur ai.
Hamza ka kërkuar nga qytetarët që të marrin përgjegjësi direkte për të ardhmen e vendit, duke i ftuar të organizohen dhe të dalin herët për të votuar.
“Po ju kërkoj jo vetëm të më mbështesni, por të merrni përgjegjësi për të ardhmen e Kosovës. Bëni një plan për të votuar, dilni herët, merrni familjet, merrni një shok ose një shoqe”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka bërë thirrje për zgjedhjen e stabilitetit dhe bashkimit, duke vënë theksin te puna dhe jo fjalët.
“Le ta zgjedhim stabilitetin mbi pasigurinë, bashkimin mbi përçarjen, punën mbi fjalët. Bashkë mund ta çojmë Kosovën përpara”, shtoi Hamza.