A do të ketë numërim të votave më 31 dhjetor dhe 1 janar? Flasin nga KQZ-ja
Foto: Laura Hasani

A do të ketë numërim të votave më 31 dhjetor dhe 1 janar? Flasin nga KQZ-ja

Zgjedhjet 2025 December 25, 2025 - 16:00

Më 28 dhjetor Kosova do të mbajë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të dytat brenda vitit.

Duka pasur parasysh faktin që këto zgjedhje do të mbahen vetëm tri ditë para ndërrimit të motmoteve, edhe numërimi i votave nëpër Qendrat Komunale do të ketë ndërprerje.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë për “Zërin” se më 31 dhjetor numërimi i votave do të bëhet deri në orën 12:00, kurse më 1 janar numërimi do të fillojë nga ora 16:00.

“Duke pasur parasysh faktin se jemi në periudhë festash, por edhe domosdoshmërinë që procesi i numërimit të mos ketë ndërprerje të gjatë, më 31 dhjetor do të punohet deri në orën 12:00, ndërkaq puna në Qendrat Komunale të Numërimit do të vazhdojë më 1 janar, në orën 16:00”, ka thënë Elezi për Zeri.info.

Elezi po ashtu ka treguar edhe si është e rregulluar me ligj çështja e numërimit të votave nëpër Qendra Komunale të Numërimit (QKN).

“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, numërimi i votave të subjekteve politike bëhet në vendvotime dhe rezultatet evidentohen në formularë të rezultateve, të cilat pastaj publikohen nga KQZ si rezultate preliminare. Po sipas të njëjtit ligj, në Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës. Para numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për QKN, në këto qendra bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve”, ka sqaruar Elezi. /Zëri